AlbanianSport.com 26/02/2018 12:30
ASNN – Shqipëria e basketbollit të meshkujve është dorëzuar dhe në vizitën armene, ndërsa në turin paraeliminator të Kampionatit Evropian 2021 ka pësuar humbjen e tretë. Vendi i fundit në renditje është i garantuar, ndërsa ndeshja e fundit me Danimarkën, më 1 korrik 2018 në Tiranë, jo vetëm që do të jetë sa për statistikë, por nuk do të vlejë për asgjë.
Madje në kushtet kur të gjithë do të kenë nisur pushimet, ndërsa në Shqipëri sezoni do të ketë gati dy muaj që ka përfunduar, atëherë kombëtarja nuk do të jetë në maksimumin e vet. Pa thënë që janë të gjitha kushtet për të pasur një tjetër disfatë si ajo ndaj Holandës 37-114. Megjithatë duke mbetur tek ndeshja me Armeninë, vendësit kanë “fërkuar duart” që kuqezinjtë nuk kanë pasur Hysenagollin, që për shkak të humbjes së pasaportës nuk mund të ishte në këtë ndeshje.
Sepse Hysenagolli, së bashku me Ndojën dhe Shimën, do të ishin një rrezik më shumë për të pasur situata të tjera për kuqezinjtë. Ndoja dhe Shima kanë luajtur sa në mbrojtje për të bërë atë “barrikadë” të pakalueshme ndaj Armenisë, por dhe në organizimin e sulmit. E duket se në të njëjtën valë me ta kanë qenë dhe Taflaj e Lasku. Shqipëria e basketbollit ka luajtur një ndeshje me dy fytyra.
Kjo sepse, sapo arrinte të ngushtonte diferencën e pikëve, menjëherë binte pre e presionit të vendësve dhe dorëzohej. E në këto kushte Armenia, që ka luajtur me një pallat sporti të mbushur plot dhe në një mbështetje maksimale, e ka pasur shumë të lehtë për të bërë një “refresh” suksesit që kishte marrë më 23 nëntor të vitit të kaluar në Tiranë, 63-80.