AlbanianSport.com 26/02/2018 11:35
ASNN – Federata Shqiptare e Taekuondosë ITF me president Bujar Çaushi dje ka zhvilluar një tjetër seminar. Këtë herë ka qenë një seminar me gjyqtarët dhe trajnerët, ndërsa në të kanë marrë pjesë breza të zinj nga 1 deri në 7 dan, apo dhe taekuondistë të moshës 15 deri në 55 vjeç. Dhe për t’i dhënë më tepër seriozitet në këtë seminar ka qenë i pranishëm edhe Shefi i Politikave dhe Strategjive për Rininë dhe Sportin në Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Arjan Konomi.
Konomi jo vetëm që ka vlerësuar masivitetin, por mbi të gjitha praninë e sportisteve femra. “Në fakt, – deklaroi Konomi, – ne jemi për mbështetjen e sporteve olimpike, por dhe ju, që jeni pjesë e sportit kombëtar, pavarësisht se jeni jo olimpik, jeni në vëmendjen tonë. Me shumicën njihem për shkak dhe të palestrave që kanë. Por unë vlerësoj faktin që ka femra, që do të thotë se në këtë drejtim ka të ardhme. Përderisa ju merrni pjesë rregullisht në veprimtaritë ndërkombëtare do të thotë që jeni në qendër të vëmendjes tonë.
“Urime dhe suksese për gjithçka që bëni!” – ka përfunduar ai. Ndërkohë presidenti i Federatës Shqiptare të Taekuondosë ITF, Bujar Çaushi, ka shpjeguar dhe qëllimin e seminarit. “Sa më shumë gjyqtarë dhe trajnerë cilësorë, aq më shumë veprimtari cilësore do të kemi, – ka thënë ai. – Në fakt ne kemi një seri gjyqtarësh kombëtarë, por dhe tre kombëtar, të cilët janë të gatshëm të jenë në çdo veprimtari ndërkombëtare. Dhe ne shpresojmë të ndodhë kjo gjë.”
“Ndërkohë që seminaret e shumta na ndihmojnë për të njohur teknikat, apo gjithçka tjetër, që lidhet me zhvillimin e taekuondosë në Shqipëri”, – ka përfunduar Çaushi. Gjatë seminarit janë demonstruar dyluftime dhe vendosje të gjyqtarëve, teknikat e thyerjes së dërrasave, si dhe gjithçka tjetër që ka të bëjë me nivelin në rritje të taekuondosë ITF në Shqipëri. Ndërkaq në përfundim të gjithë kanë firmosur diplomat, si dhe janë vendosur trajnerët e kombëtarëve, gjyqtarët drejtues të Federatës. Në përgjithësi gjithçka ka shkuar me sukses.