AlbanianSport.com 26/02/2018 10:40
ASNN – Fituesi i Botërorit të futbollit, Huan Mata po mundohet të thyejë konceptin që është krijuar për futbollistët e pasur, duke ndihmuar në zgjimin e ndërgjegjes shoqërore së të gjithë atyre përmes projektit “Qëllimi i Përbashkët”. Mesfushori i Mançester Junajtid është nga lojtarët që me shembullin e tij kërkon të inkurajojë futbollistët e tjerë për të dhënë 1 % të pagave të tyre në një fond kolektiv duke dashur ta bëjë atë “klubin më të madh të futbollit në botë”.
Deri më tani 34 futbollistë, midis tyre Mats Humels i Gjermanisë, Xhorxho Kielini i Italisë, si dhe vetë presidenti i UEFA-s, Aleksander Çeferin, kanë premtuar një pjesë të pagës për këtë qëllim. Fondi që jep Mata ndihmon Fondacionin “OSCAR” me bazë në Indi, i cili promovon vlerën e arsimit përmes futbollit si dhe një projekt të barazisë gjinore në Kolumbi. “Vetëm me mua kjo nismë nuk do të shkojë shumë larg”, – ka pohuar futbollisti spanjoll.
“Në futboll është shumë e rëndësishme që të ketë një frymë të përbashkët për të arritur këtë qëllim. Nëpërmjet këtij misioni dua t’i ndërgjegjësoj të gjithë”, – shtoi lojtari i Mançester Junajtid. Huan Mata dhe e dashura e tij janë prekur thellë pas një vizite që bënë në Mumbai vitin e kaluar. “Kam përjetuar disa momente të vështira, – rrëfen ai. – Aty pashë diferencën e madhe që ekziston midis njerëzve të pasur dhe atyre të varfër. Unë dua të theksoj edhe njëherë atë mision që ka futbolli, sporti që bashkon.”
“Prandaj dua të vijnë sa më shumë futbollistë në fondacion për të arritur sa të mundim të realizojmë projektet për arsim, barazi gjinore dhe nevoja themelore. Për të treguar edhe njëherë se futbolli është i pranishëm gjithnjë”, – ka përfunduar futbollisti spanjoll, Huan Mata.