AlbanianSport.com 25/02/2018 15:10
ASNN – Bardheblutë përmbysin nga 0-2 në disavantazh në 2-2, por në setin e pestë nuk kanë forcën e duhur për të shkuar tek suksesi i premtuar. Studenti jo vetëm që ka pasur organizimin perfekt të Kupit, por mbështetur mirë në sulmet e Ramës, Xhabrahimit dhe Bajramit, pa harruar dhe Pirrën, ia del ta vërë që në fillim ndeshjen nën kontroll. Në setin e parë ka kryesuar vazhdimisht 5-8, 10-16, 11-19 dhe në fund 16-25.
Seti i dytë është treguesi i një Tirane të mefshtë, aq sa Koja detyrohet t’i heqi të gjithë titullarët e tij për t’i lënë radhën rezervave. Dhe Studenti nuk fal, ndërsa fiton 15-25. Madje kryeson në setin e tretë deri në pushimin e parë teknik 8-4. Mirëpo zgjohet Tirana. Ferhati, Gaxiri, Gega, Sotir dhe Peçi kthejnë situatën.
25-20 për bardheblutë seti i tretë. I katërti luhet pikë më pikë, ndërsa përsëri fiton Tirana 25-22 dhe 2-2. Në të pestin ka dhe nervozizëm, ndërsa është ndëshkuar me karton të verdhë Gaxiri, por dhe ndihmëstrajneri i Studentit, Reka. Mirëpo ka dhe karton të kuq për Kasemin. Megjithatë Studenti nuk e ka humbur toruan, ndërsa fiton setin e pestë 10-15 dhe krejt ndeshjen 3-2.
Pikëshënuesit më të mirë të ndeshjes ishin Gaxiri i Tiranës dhe Xhabrahimi i Studentit, me 19 pikë secili, ndjekur nga Ferhati i Tiranës me 18 pikë, apo dhe Rama i Studentit me 15 pikë e Bajrami i Studentit me 12 pikë. Në bllok ka dalë fitues Ferhati i Tiranës dhe Pirra i Studentit me tre mure fituese ndjekur nga Gaxiri, Gega të Tiranës dhe Rama e Bajrami të Studentit me dy të tilla.
Në shërbim është absolut Xhabrahimi i Studentit me 7 rezultative, ndjekur nga Kupi i Studentit me 3 të tilla, apo dhe Bajrami i Studentit me dy. Në total, në 5 sete, Tirana ka shënuar 91 pikë, prej të cilave 67 pikë vetë, kurse 24 pikë kanë ardhur nga gabimet e Studentit. Në anën tjetër, Studenti, në 5 sete realizoi 107 pikë, prej të cilave 85 pikë vetë, kurse 22 pikë kanë ardhur nga gabimet e Tiranës.
Në këtë mënyrë Studenti dhe Tirana, që kanë luajtur në orët e mbrëmjes, kanë prodhuar ndeshjen më të mirë të javës, e cila është ndjekur dhe nga presidenti i Federatës Shqiptare të Volejbollit, Erlind Pëllumbi, dhe Sekretari i Përgjithshëm i saj, Albens Vokopola.
Tirana – Studenti 2-3
(16-25, 15-25, 25-20, 25-22, 10-15)
Tirana: Peçi, Joanidhi (L), Gaxiri, Sotir, Gega, Bytyqi, Kasemaj (L), Ferhati / Zeqiraj, Kapidani, Sheldija, Zhllima, Batalli. Trajner: I. Koja
Studenti: Xhabrahimi, Pirra, Kupi, Rama, Baruti, Bajrami, Muça (L), Kola (L) / Gorenca, Myrta. Trajner: I. Koja
Gjyqtarë: I. Fështi, E. Dusha (Tiranë)
Ndihmës: E. Papamihali (Tiranë), Xh. Zuna (Durrës)
Kampionati Kombëtar
i Volejbollit – Meshkuj
Java e 13-të
(24 shkurt 2018)
Teuta – Skënderbeu 0-3
Erzeni – Vllaznia 3-0
Farka Volej – Partizani 0-3
Tirana – Studenti 2-3
Elbasani pushim
Renditja
Nr. Skuadra N. F. H. Setet Pikë
- Partizani 12 11 1 34-9 33
- Erzeni 11 9 2 30-9 28
- Studenti 12 9 3 30-16 25
- Tirana 12 8 4 29-18 24
- Skënderbeu 11 5 6 17-19 15
- Vllaznia 11 4 7 16-21 13
- Farka Volej 12 4 8 18-26 12
- Elbasani 11 2 9 6-28 6
- Teuta 12 0 12 2-36 0