AlbanianSport.com 25/02/2018 14:35
ASNN – Ka dekada që basketbolli i femrave në Korçë nuk përjeton një situatë kaq dramatike, ndërsa kalimi në grupin tjetër është i pashmangshëm. “Derbi” i fundit të tabelës së klasifikimit për kampionatin kombëtar në basketboll për femra, mes Skënderbeu dhe Vllaznisë, është mbyllur ditën e djeshme me fitoren e mikeshave nga Shkodra. Me këtë humbje, Skënderbeu i ka prerë njëherë e mirë shpresat për të kapur të paktën Vllazninë deri në fund të sezonit dhe ka “blinduar” vendin e fundit të renditjes.
Kishte dekada të tëra që Skënderbeu nuk e shikonte veten në një gjendje të tillë në basketboll për femra. Ndërkohë që këtë sezon e ka prerë tashmë biletën për të zbritur një kategori më poshtë. Humbja e djeshme ishte një tjetër zhgënjim turpërues, pasi Vllaznia përpara këtij takimi ndodhej dy pikë përpara korçareve dhe me një fitore të mundshme Skënderbeu do t’i afrohej ndjeshëm. Ndeshja e djeshme ishte vërtet e dobët në parket nga të dy skuadrat, ku më dobët u paraqit Skënderbeu.
Ndërsa Vllaznia shfrytëzoi momentin jo të mirë të korçareve dhe doli me dy pikë nga pallati i sportit “Tamara Nikolla” duke fituar me 17 pikë diferencë. Pjesa e parë është e dobët si në gjuajtjet për tre pikë, por edhe për dy, dhe për pasojë mbyllet 10-12 për mikeshat. Në pjesën e dytë, korçaret tentuan të përmbysnin gjithçka me gjuajtjet për 3 pikë, por nuk ia dolën dhe e humbën edhe këtë pjesë 11-15 dhe në pushimin mes dy gjysmave, rezultati është 21-27 për Vllazninë.
Edhe pjesa e tretë ka të njëjtën pamje si dy të parat, ku mikeshat thellojnë epërsi dhe pas 30 minutash rezultati shkon në 30-40. Dhjetë minutat e fundit të takimit janë thjesht formalitet, pasi Skënderbeu e ka të vështirë të përmbysë rezultatin dhe gjithçka mbyllet 41-58 në favor të Vllaznisë, e cila buzëqesh pas këtij takimi, pasi ka lënë në fundin e tabelës Skënderbeun, që deri në këtë moment ka shënuar vetëm një fitore të vetme dhe duket e pashpresë për mbijetesë.
Skënderbeu – Vllaznia 41-58
(10-12, 11-15, 9-13, 11-18)
Skënderbeu: Gjika, Jahollari, Llazar, Toska, Haris / Pëllumbi, Doja, Myzeqari, M. Loci, R. Loci, Shallo, Hysenllari. Trajner: B. Topi
Vllaznia: Mustafa, Basha, A. Dashja, Lugjaj, Kraja, Verri, I. Dashja, Sinanaj. Trajner: R. Rasha
Gjyqtarë: E. Tiko (Tiranë), M. Majko (Durrës)
Kampionati Kombëtar
i Basketbollit – Femra
Kategoria e Parë
Grupi A
Java e 12-të
(22-25 shkurt 2018)
Të shtunën:
Studenti – Tirana 49-85
Skënderbeu – Vllaznia 41-58
Të dielën:
Goga Basket – Flamurtari ora 11:00
Renditja
Nr. Skuadra N. F. H. Psh-Pp Pikë
- Tirana 12 9 3 911-675 21
- Goga Basket 11 9 2 888-676 20
- Flamurtari 11 9 2 814-720 20
- Studenti 12 4 8 743-872 16
- Vllaznia 12 3 9 707-865 15
- Skënderbeu 12 1 11 646-901 12