AlbanianSport.com 25/02/2018 11:40
ASNN – Shqipëria në basketboll për meshkuj tashmë është gati për ndeshjen e tretë kualifikuese të raundit paraeliminator të Kampionatit Evropian 2021. Pas humbjes në Danimarkë, 69-82, të premten, kuqezinjtë kanë udhëtuar drejt Erevanit.
Dje kanë bërë dhe stërvitjen e fundit në Pallatin e Sportit “Mika Sport Kompleks” në kryeqytetin vendas, ndërsa në ora 16:00 me orën e Tiranës do të përballen me Armeninë.
Mungesa e Hysenagollit, që pat humbur pasaportën dhe është kthyer në Tiranë, do të jetë e rëndësishme për skuadrën tonë. Kjo ndeshje do të gjykohet nga rusët Sergei Krug dhe Ilia Putenko, si dhe izraeliti Ofer Manheim.
Ndërkohë vëzhgues do të jetë izraeliti Tod Varnick. Duhet kujtuar që Armenia i ka mundur kuqezinjtë më 23 nëntor në Tiranë, 63-80, ndërsa ka qenë fituese dhe në miqësoret që janë luajtur në Erevan.
Megjithatë, basketbollistët kuqezi pretendojnë të bëjnë një paraqitje dinjitoze, kurse fushatën e këtyre eliminatoreve, ata do ta mbyllin më 1 korrik 2018, në Tiranë me Danimarkën.