AlbanianSport.com 25/02/2018 10:30
ASNN – Pakënaqësitë që kanë ardhur për mosshpalljen e një peshëngritësi ndër 10 sportistët më të mirë të vitit 2017, një anketë sportive, e cila u kthye në një spektakël të përbashkët mes RTSH Sport dhe Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, e kanë detyruar institucionin më të lartë të olimpizmit shqiptar të dalë në një deklaratë për shtyp.
Sepse Erkand Qerimaj, fitues i medaljeve në Kampionatin Evropian të Peshëngritjes në Split, apo dhe medalist i bronztë në Botërorin e Anaheimit, e ka quajtur një turp të përbashkët të Federatës Shqiptare të Peshëngritjes dhe Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar mosvendosjen e tij në listën e më të mirëve të vitit 2017.
Briken Calja, që është i katërti në Botërorin e Anaheimit, apo dhe medalist në Evropianin e Splitit, e ka quajtur Komitetin Olimpik Kombëtar Shqiptar si të diktaturës, ndërsa po rikthehet koha e xhaxhit. Parë kështu, Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar ka dalë me një deklaratë:
“Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar, duke ju referuar Kodit të Etikës së Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, konkretisht nenit 6.4 të luftës kundër dopingut, ka për detyrë të ruajë dhe të zhvillojë politikat e antidopingut duke respektuar zero tolerancë në luftën kundër dopingut”, – thuhet në këtë deklaratë.
“Për këtë arsye, KOKSH nuk mund të promovojë sportistët që kanë përdorur doping. Në rastin konkret, sportistët e propozuar nga Federatat e Peshëngritjes, nuk e plotësojnë këtë kriter”, – përfundon reagimi i shkurtër i organizmit që qeveris lëvizjen olimpike shqiptare.
Në fakt, më 15 janar 2018, Federata Shqiptare e Peshëngritjes kishte dërguar dy emra, që ishin Briken Calja dhe Romela Begaj. Kjo e fundit ishte shpallur “nënkampione” e botës, por më pas rezultoi pozitive. Calja pati dalë me doping më 2013-ën pikërisht në kohën e Lojërave Mesdhetare në Mersin të Turqisë.
E në këtë mënyrë, Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar duke i mbetur linjës së sportit të pastër dhe FAIR-PLAY ka mbajtur këtë qëndrim.