AlbanianSport.com 25/02/2018 07:00
ASNN – Kur është mbyllur edhe dita e parafundit e këtyre Lojërave Olimpike Dimërore, Norvegjia dhe Gjermania vazhdojnë të kryesojnë bashkarisht renditjen e medaljeve. “Pjongçeng 2018”, e cila po vjen ekskluzivisht në Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar, ka dhënë të shtunën medalje edhe në 5 disiplina të tjera sportive.
* * *
Kanadezi Sebastien Tuton’ e mori veten pas vendit të fundit në garën e stilit të shpatit pas ditë më parë, duke siguruar të parën medalje të artë olimpike në garën e “big air”-it në disiplinën e “snoubord”-it të shtunën, në një garë të ndjekur nga vajza e presidentit amerikan, Ivanka Trump. 25-vjeçari mori 174.25 pikë nga dy kërcimet e tij më të mira, ndërsa amerikani Kajli Mek mori 168.75 pikë, duke marrë medaljen e argjendtë, kurse Billi Morgan mori medaljen e broztë për Britaninë e Madhe, që ka arritur kështu rekordin e saj historik në Lojërat Dimërore me 5 medalje.
* * *
Uendi Holdener e udhëhoqi skuadrën e fortë të Zvicrës, drejt një medaljeje në garën ekipore të disiplinës së skive alpine të shtunën, duke mposhtur në finalen e madhe Austrinë, ndërsa Norvegjia mori të bronztën, që ishte edhe medalja e 38 për nordikët në këtë Olimpiadë Dimërore. Zvicra e mposhti 3-1 në finale quartetin austriak, të cilit I mungonte medalisti i dyfishtë i artë, Marsel Hirsher, në atë që ishte debutimi i kësaj gare në Lojërat Olimpike. Holdener u ndihmua në këtë mision nga Denisë Fajerabendi, Daniel Juleja dhe Ramon Zenhaeuserni.
* * *
Kapiteni amerikan, Xhohn Shuster, ekzekutoi një goditje mjeshtërore, duke fituar një 5-pikësh të rrallë, teksa Shtetet e Bashkuara të Amerikës mundën Suedinë me rezultatin 10-7, duke siguruar të parën kurorë olimpike në kërling për meshkuj të shtunën. Në një tjetër finale që u ndoq nga afër nga vajza e presidentit amerikan, Donald Tramp, Ivanka, Shuster e vulosi praktikisht gjithçja dy raunde para fundit, me një të ashtuquajtur “çekiç”, që i çoi amerikanët 5 pikë në epërsi dhe i detyroi Suedezët e udhëhequr nga Niklas Edin, që të dorëzohen një gur para fundit.
* * *
Finlandezi Iivo Niskanen fitoi garën klasike të 50 km nisje masive në disiplinën e skive të “cross-country”, në ditën e 15-të të “Pjongçeng 2018”, duke i siguruar kështu vendit të tij medaljen e parë të artë në këto Lojëra Olimpike. Bolshunovi, i cili garon nën siglën e “Sportistëve Olimpikë nga Rusia”, mori medaljen e argjendtë, 18.7 sekonda pas Niskanenit, ndërsa bashkëatdhetari i tij rus, Andrej Larkov, fitoi duelin me norvegjezin Martin Johnsrud Sundbi, për të marrë medaljen e bronztë. Interesante ishte sjellja e tifozëve finlandezë, të cilët e mirëpritën me përzemërsi mbërritjen në finish të Bolshunovit.
* * *
Zvicerani Nevin Galmarini triumfoi të shtunën në garën e sllallomit gjigand paralel në disiplinën e “snoubordit” për meshkuj, duke fituar të artën e 5-t të helvetëve në këtë Olimpiadë Dimërore. Në garën e zhvilluar në Parkun e Dëborës “Finiks”, Galmarini mbërriti pari në finish, duke lënë me 43 të qindtat e sekondës sportistin vendas, Li Sang-ho. 22-vjeçari u bë, sidoqoftë, i pari koreano-jugor që fiton në medalje në snoubord. Ai pati mundur në gjysmëfinale sllovenin Jan Kosir, i cili u detyrua të kënaqej me medaljen e bronztë, që ishte e dyta për vendin e tij në këtë Olimpiadë Dimërore.
* * *
Ester Ledeka vulosi të parin triumf të dyfishtë në snoubord dhe ski në historinë e Lojërave Olimpike të shtunën, teksa korri një fitore mbresëlënëse në garën e sllallomit gjigand paralel në disiplinën e “snoubordit” për femra. 22-vjeçarja mundi gjermanen Selina Jërg në një finale dramatike. Gjermanja tjetër, Ramona Hofmajster mori medaljen e bronztë. Kampionia çeke e botës, e cila ka nisur që bëjë ski që dy vjeçe e snoubord që 5 vjeçe, shtangu botën e sportit, duke marrë të artën javën e shkuar në garën e Super-Xhi-së, ku mposhti kampionen në fuqi, Ana Veith dhe yllin amerikan, Lindsi Von.
* * *
Në garat e fundit të ditës, që u zhvilluan në patinazhin e shpejtësisë, në Sallën Ovale të Gang-Neungut, në nisjen masive për femra, e para që ka mbërritur në finale ka qenë japonezja Nana Takagi, që 16 xhirot i përshkoi për 8 minuta, 8 sekonda e 87 të qindtat, duke lënë 12 të qindtat prapa koreanojugoren Kim Bo-Reum, që fitoi duelin për medaljen e argjendtë me holandezen Irenë Shouten. Ndërkaq, edhe tek gara e meshkujve të po kësaj disipline, fituesi ka qenë aziatik, pasi sportisti vendas, Li Seung-Hu, ka mbërritur i pari në finishin e 16 xhirove duke regjistruar kohën 7 minuta, 43 sekonda e 97 të qindtat, 9 të qindtat më shpejt sesa belgu Bart Suings, ndërsa podiumin e plotësoi holandezi Këen Verviij.
* * *
Kur është mbyllur edhe dita e parafundit e këtyre Lojërave Olimpike Dimërore, Norvegjia dhe Gjermania kryesojnë bashkarisht renditjen e medaljeve. Nordikët kanë 13 të arta, 14 të argjendta dhe 11 të bronzta dhe, me 38 medalja, kanë thyer rekordin historik të medaljeve në Olimpiadat Dimërore, që ishte vendosur nga amerikanët. Gjermanët kanë 13 të arta, 8 të argjendta e 7 të bronzta, ndërsa Kanadaja plotëson podiumin, me 11 medalje të arta, 8 të argjendta dhe 9 të bronzta.