AlbanianSport.com 11/02/2018 20:45
ASNN – Lufta kundër dopingut mbetet në qendër të vëmendjes së Komitetit Olimpik Ndërkombëtar dhe Lojërat Dimërore “Pjongçeng 2018”-ën nuk bëjnë përjashtim. Kështu, më tepër se 6,000 sportistë u janë nënshtruar më tepër se 14,000 testeve anti-dopingu. Këto teste, të kryera midis periudhës prill-dhjetor 2017, përfaqësojnë një rritje me 70% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Më tepër se 6,000 sportistë u janë nënshtruar më tepër se 14,000 testeve anti-dopingu në prag të Lojërave Olimpike Dimërore të Pjongçengut, bëri të ditur Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (IOC). Këto teste, të kryera midis periudhës prill-dhjetor 2017, përfaqësojnë një rritje me 70% krahasur me të njëjtën periudhë të një viti më parë, shtoi më tej organizmi që qeveris lëvizjen olimpike botërore.
Sportistët rusë ishin veçanërisht në qendër të vëmendjes së këtyre testeve, në një masë dy herë më të madhe sesa vendet e tjera gjatë nëntorit dhe dhjetorit. Rusia u përjashtua nga Olimpiada e këtij viti nga IOC-ja për shkak të skandalit të dopingut të organizuar nga shteti, veçanërisht gjatë Lojërave Dimërore të 2014-ës në Soçi. Ndonëse 40 sportistë rusë u dënuan fillimisht me pezullime të përjetshme, 28 prej tyre e fituan çështjen në Gjykatën e Arbritrazhit Sportiv.
Por ata nuk janë të sigurt se do të lejohen të marrin pjesë në Pjongçeng. Ndërkohë, testeve të vitit të shkuar u janë nënshtruar sportistë nga 61 vende pjesëmarrëse. “Mbrojtja e sportistëve të pastër nëpër luftës kundër dopingut është një përparësi kryesore e IOC-së”, – thotë drejtori shkencor dhe mjekësor i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, Riçërd Baxhet.
“Integriteti sportiv i Lojërave është jetësor dhe ne jemi të përkushtuar për të punuar me partnerët tanë, për të siguruar që Pjongçeng 2018 siguron një garaë të barabartë për të gjithë sportistët e pastër”, – shton ai. Ndonëse Rusia është pezulluar nga Olimpiada, 169 sportistë të saj që nuk kanë rezultuar asnjëherë pozitivë për doping do të lejohen të konkurrojnë në Kore të Jugut nën kushte të rrepta.
Ata do të lejohen të garojnë si sportistë neutralë, pa u lejuar të veshin uniformën apo ngjyrat e vendit të tyre, të përdorin flamurin apo himnin kombëtar nëse duhet të fitojnë medalje. Por këta sportistë rusë duhet të përballen edhe me më tepër teste anti-dopingu, pasi IOC-ja deklaroi se kishte vënë në zbatim një sistem më të zgjuar dhe të përmirësuar të testimit, që nis me Pjongçengun dhe do të vijojë edhe më tej.
“Ky testim më i specifikuar përqendrohet tek disiplina dhe kombësi të veçanta që paraqesin rrezik më të lartë në këtë drejtim, por edhe tek sportistë individualë apo grupe sportistësh që përzgjidhen në bazë të renditjes së tyre, të ndryshimit të dyshimtë të paraqitjes dhe rezultateve të tyre apo të historisë së dyshimtë të dopingut”, – ka theksuar Minxhung Seo, shefja e laboratorit të anti-dopingut në Pjongçeng.