AlbanianSport.com 18.10.2014 14:35
ASNN – Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, i ka akorduar të martën kampiones së botës në xhudo gjatë dy viteve të fundit, Majlinda Kelmendit, titullin e lartë “Nderi i Kombit”. Presidenti Nishani vlerësoi kontributin që sportiste si Kelmendi japin lartësimin e emrit të Shqipërisë dhe shqiptarëve nëpër botë. Ndërsa Kelmendi është shprehur mirënjohëse për këtë nderim që i bën Shqipëria.
Xhudistja e mirënjohur kosovare, Majlinda Kelmendi, ka marrë sot nga presidenti i Republikës, Bujar Nishani, dekoratën dhe titullin “Nderi i Kombit”. Motivacioni për dekoratën ishte: “Për veprimtari të shquar dhe vlera të larta të paraqitura në sportin e xhudos, si një sportiste e nivelit shumë të lartë, me rezultate të shkëlqyera, të arritura në veprimtaritë kombëtare dhe ndërkombëtare, duke u shpallur dy herë kampione bote si përfaqësuese e vendit tonë.”
Në një ceremoni të zhvilluar në mjediset e Presidencës në kryeqytet, Presidenti Nishani, vlerësoi kontributin që sportiste si Kelmendi japin lartësimin e emrit të Shqipërisë dhe shqiptarëve nëpër botë. “E kam ndjekur si shumë tifozë shqiptarë, si shumë dashamirës, si shumë bashkatdhetarë të tjerë tanët karrierën e shkëlqyer të sportit të Majlindës, që në përpjekjet e para dhe deri sa ka mbërritur tashmë në majat më të larta të botës”, – ka deklaruar kreu i shtetit.
“Një vajzë shqiptare, tashmë, dy herë kampione bote në një sport i cili kërkon profesionalizëm, kërkon dhunti, kërkon shpirt të fortë gare, por njëkohësisht kërkon jo vetëm vullnet, por dhe pasion dhe dashuri për atë çka përfaqëson, – ka vijuar Nishani. – Unë jam i bindur sot që, çdo shqiptar, kudo ku jeton, është me të vërtetë i lumtur që përmes arritjeve dhe punës së Majlindës, përmes prezantimit të saj në nivelin botëror dhe jo vetëm një herë, por tashmë në mënyrë të konsoliduar.”
“Emri i shqiptarit është i radhitur në mënyrë të denjë përkrah më të mëdhenjve të botës së sportit”, – shtoi Presidenti gjatë ceremonisë. Ndërsa “kampionia e botës” në xhudo, Majlinda Kelmendi duke marrë në dorëzim dekoratën e lartë nga Presidenti Nishani, u shpreh: “Dëshiroj të falënderoj Presidentin zotin Bujar Nishani për këtë dekoratë! Është nder, kënaqësi dhe privilegj shumë i madh për mua që sot shpallem “Nderi i Kombit. Ky është një inkurajim shumë i madh për mua.”
Majlinda Kelmendi është kampione e botës në xhudo për dy vitet e fundit, duke qenë e pamposhtur në kategorinë e peshës së saj trupore.