AlbanianSport.com 13/01/2017 09:45
ASNN – Mund të duket si shaka në pamje të parë, por është mëse e vërtetë, sepse ndërtesa qendrore e kompleksit sportiv, është propozuar të përdoret pas Olimpiadës si një frigorifer i stërmadh për ruajtjen dhe konservimin e peshkut. Në fakt, kjo situatë tragjikomike është ajo me të cilën përballen Koreja e Jugut, por edhe rajoni ku do të mbahet edicioni i 23-të i Lojërave Olimpike Dimërore, ai i Pjongçengut. Ajo që pritet të ndodhë pas përfundimit të Lojërave Olimpike Dimërore, që do të mbahen në 10-ditëshin e dytë të shkurtit në Kore të Jugut mund të përmblidhet fare mirë në një batutë që, në zhargonin e përditshëm do të ishte: “Plasi peshku!”.
Mund të duket si shaka në pamje të parë, por është mëse e vërtetë, sepse ndërtesa qendrore e kompleksit sportiv, është propozuar të përdoret pas Olimpiadës si një frigorifer i stërmadh për ruajtjen dhe konservimin e peshkut. Në fakt, kjo situatë tragjikomike është ajo me të cilën përballen Koreja e Jugut, por edhe rajoni ku do të mbahet edicioni i 23-të i Lojërave Olimpike Dimërore, ai i Pjongçengut. Ndërtesa në fjalë ka kushtuar plot 120 milionë dollarë dhe ka një kapacitet prej 10,000 vendesh dhe ajo është pjesë e një investimi prej 800 milionë dollarësh që vendi organizator bëri për ngritjen e 6 mjediseve të reja sportive.
Ndërsa 10 miliardë të tjera janë shpenzuar për rinovimin e apo ndërtimin e infrastrukture dhe e transportit hekurudhor që mbulon zonën e zhvillimit të kësaj veprimtarie sportive ndërkombëtare. Në fakt, kostot stratosferike financiare të Pas-Olimpiadave janë një fenomen i zakonshëm tashmë, duke nisur nga edicioni i 1976-ës në Montreal, të cilit i deshën plot 30 vjet për të shlyer borxhet e veprimtarisë dyjavore, e deri tek “Rio 2016”-ta. Lojërat e fundit Olimpike Dimërore në Soçi të Rusisë kushtuan plot 50 miliardë dollarë, çka i bëri shumë qytete që ishin kandidate potenciale për të mirëpritur Olimpiadën Dimërore të tërhiqen dhe për ato të 2022-shit, mbetën vetëm dy, Pekini dhe Almatija.
Duke mbetur në Kore të Jugut, Inçeoni shpenzoi 1.6 miliardë dollarë për të ndërtuar 17 mjedise sportive për Lojërat Aziatike të 2014-ës dhe, në mbyllje të veprimtarisë, qytetit i mbeti një borxh prej 1 miliardë dollarësh. Me pak fjalë, zhvillimi i Olimpiadës Dimërore është shndërruar në një “patate të nxehtë”, apo, në rastin konkret, “të akullt”, që duket se nuk po dëshiron më kush ta mbajë në dorë.