AlbanianSport.com 08/01/2017 18:00
ASNN – Federata Shqiptare e Ndeshjeve të Lira, me president Arjan Rizajn, ka deklaruar se tashmë është e 29-ta në renditjen botërore me 435 pikë. Dhe ky lajm është fantastik, të paktën sipas drejtuesve më të lartë të ndeshjeve të lira në vendin tonë, sepse vetëm një vit e gjysmë përpara, Shqipëria renditej e 63-ta.
Medaljet e bronzta të Hadribeajt dhe Doskjes në Botërorin e Dohas në Katar, apo dhe medaljet në Ballkaniadë, ndërsa vendi ynë është bërë dhe organizatori i këtyre veprimtarive, duket se e kanë ngritur lart nivelin e ndeshjeve të lira. Jo vetëm kaq, por turnetë “Gladiator” të zhvilluara herë pas here e kanë bërë më aktiv këtë sport.
Ndaj dhe të gjithë ndihen krenar, ndërsa kanë deklaruar në një status në profilin e tij në rrjetin social “Facebook”: “Me këtë renditje historike ne mund të marrim pjesë me përfaqësim sportistësh në të gjitha kategoritë e kjo që në fillim kur të hapen regjistrimet zyrtarisht dhe “online”.”
“Kjo renditje ka ardhur si shpërblim i arritjeve tona në Kampionatin Evropian dhe Botëror, – ka vijuar ai. – Jemi të vendosur që të vazhdojmë me përfaqësim dinjitoz në veprimtaritë ndërkombëtare dhe për vitin 2018-2019. Ky sukses është për të gjithë shqiptarët dhe për të gjithë ata që besuan në vizionin tonë, për sportistët, anëtarët e kryesisë, klubet dhe komuniteti i MMA-s”.
E kësisoj dhe ndeshjet e lira janë duke e bërë krenar sportin shqiptar. Ndaj dhe duhen vlerësuar përkatësisht…