AlbanianSport.com 08/01/2017 17:05
ASNN – Trajneri i kombëtares së të rejave të Shqipërisë është Roland Tarja, që është njëkohësisht ndihmëstrajner i Kombëtares së të rriturave. Por ndër të vetmit që ka eksperiencën e duhur për të drejtuar një skuadër të tillë, sepse Akademia e Partizanit në volejboll për femra funksionon vetëm falë vullnetit të tij. E kjo jo sot, por prej gati 10 vjetësh.
Partizani është skuadra që funksionon me para të rejat, të rejat, të rriturat, pa harruar dhe skuadrat më të vogla në moshë. E për rrjedhojë, edhe duke qenë një lojtar me përvojë, apo dhe trajner “kampion” tek Teuta në volejboll për meshkuj, i është besuar drejtimi i skuadrës përfaqësuese të të rejave. Befasitë e para vijnë nga ndryshimi i datëlindjes për këtë kombëtare nga Federata Evropiane e Volejbollit.
Sepse nuk do të jenë të datëlindjes 1999, por 2000. “Në fakt, – thotë Tarja, – ne ishim përgatitur për lojtaret e datëlindjes 1999. Megjithatë tashmë ne kemi nisur përgatitjen që në janar, ndërsa do të jemi në të gjithë Shqipërinë për të gjetur elementët e duhur. E më pas do të ndërtojmë një program ambicioz për një përgatitje të mirë të kësaj kombëtareje, e cila duhet të paraqitet në mënyrë dinjitoze në këtë Evropian.”
Tarja e pranon që baza do të jetë kampionati i të rriturave. “Janë 3-4 elementë, dy tek Teuta e dy tek Vllaznia, të cilat kanë qenë edhe pjesë e kombëtares së madhe për të qenë nesër për ballafaqime të tilla ndërkombëtare. Shpresojmë që deri në shtator të shkojë gjithçka mirë”. Ndërkohë Tarja në grupin e selektorëve, përveç trajnerit së të rriturave Martiri, ka dhe specialistët e rrjetës Enkelejda Lleshi, Ilir Thanasi e Dorian Tafa.
Pra impenjim serioz për bërjen gati të një kombëtareje, e cila për herë të parë sjell në Tiranë finalet e një Kampionati Evropian.