AlbanianSport.com 05/01/2018 19:35
ASNN – Presidenti Ruli: “Synojmë të ruajmë titullin “kampion Evrope”, por të konfirmohet si të tillë dhe në botë. Nëse gjërat ecin mirë, prisni surpriza.” Izmir Smajlaj, “kampioni” i Ballkanit në sallat e mbyllura me 7.98 metra dhe “kampioni” i Evropës në salla të mbyllura me 8.08 metra, pa harruar që është rekordmeni kombëtar në kërcim së gjati si në pista të mbyllura, ashtu dhe të hapura, konsiderohet “princi” i atletikës shqiptare.
Me një rezultat fantastik në Ankona, 8.32 metra, jo vetëm që renditet mes më të mirëve të Botës, por dhe ka shanse të jetë si i tillë në vazhdim. Në një intervistë për RTSH Sport, të cilën AlbanianSport.com po e sjellë në dy pjesë dhe sot është e para, ndërsa e dyta, nesër, presidenti i Federatës Shqiptare të Atletikës, Gjergji Ruli, që është njëkohësisht trajneri i Smajlajt, ka konfirmuar se fejesa do ta bëjë më të ndjeshëm në një regjim më të fortë sportiv.
Smajlaj dhe Gjeçaj do të jenë në një stërvitje 40 ditore në Stamboll. Ndaj dhe objektivat janë konkret, pa thënë që edhe me Luiza Gegën, David Nikollin, Relaksa Dautin, Blerim Poçestën synohen të tjera rezultate të larta për 2018-ën.
– Ka nisur 2018-ta, por Izmir Smajlaj përpara Vitit të Ri ka dhënë një rezultat 8.32 metra. Çfarë mund të pretendohet më tej prej tij?
– Është luks i madh sot të flasësh për një atlet si Izmir Smajlaj. Është luks i madh të flasësh për një atlete si Luiza Gega, apo për Relaksa Dauti, për Poçestën, Nikollin, apo pse jo dhe për të talentuarën shkodrane Shala. Madje është luks të flasësh dhe për atlet të tjerë të cilët po zhvillohen dhe që po rrisin talentin e tyre muaji pas muaji dhe vit pas viti. Meqë më pyetet për Izmirin po përgjigjem që ai është një atlet i nivelit ndërkombëtar. Është një atlet që nëna natyrë i ka falur shumë gjëra. I ka falur staturën, ndërsa është një atlet 1.96 metra i gjatë, të cilët në botë janë me kokrra në shtatlartësinë e tij. Pra është i parametrave ndërkombëtarë, ndërsa Zoti i ka falur dhe një forcë absolute, e cila po kultivohet për t’u transformuar në një forcë dinamike dhe në shpejtësi. Kemi bërë një stërvitje së bashku duke parë dhe gabimet që kemi pasur vitin e kaluar. Kemi bërë një stërvitje së bashku duke akumuluar dhe forcën dinamike për ta kthyer atë në forcë psiko-motore për ta shpërbërë atë në natyrë dhe në shpejtësi. Kemi shkuar dy herë në Itali, një herë në San Marino dhe një herë në Ankona, atje ku kemi bërë dhe teste kontrolli, ndërsa gjendja aktuale është e mrekullueshme. Viti i Ri ka nisur me një mungesë njerëzore dhjetëditore. Izmiri ka bërë shumë-shumë pak stërvitje, sepse ka pasur probleme familjare të gëzueshme. Të gjithë nëpër mediet sociale e dinë tashmë që ai është fejuar me një vajzë të mrekullueshme, e cila do të rrisë cilësinë e Izmirit sidomos në anën psikologjike. Ai është i kompletuar në të gjitha anët, ndërsa tashmë nuk është më një dallëndyshe që të fluturojë vend e pavend. Përkundrazi do ta bëjë atë më cilësor në sensin e regjimit sportiv. Ne dje kemi nisur stërvitjen cilësore përsëri. E jo për test kontrolli, por është programi i fundit përgatitor përpara garave zyrtare. Më 15 janar Izmir, së bashku me Ergys Gjeçajn, do të udhëtojë për në Stamboll, atje ku do të qëndrojë për 40 ditë. Do të falënderoja pa masë presidentin e Federatës së Atletikës së Turqisë, por dhe Federatën e Atletikës së Turqisë për miratimin e kësaj përgatitjeje, ndërsa bashkëpunimi me të është i frytshëm. E gjithë kjo është për të maturuar boshllëqet e atletit, apo dhe ditët e kërcimit që janë themelore përpara garës. Por dhe për të plotësuar të gjithë programin ambicioz që ne kemi për këtë atlet.
– Viti 2018 nis me Kampionatin Ballkanik të Sallave të Mbyllura, vazhdon me Botërorin e Sallave të Mbyllura dhe përfundon me Evropianin e Berlinit…
– Po është e vërtetë, por është dhe gara e më të mirëve në kërcimin së gjati, e cila është në prag të Botërorit dhe pas Ballkaniadës. Federata e Atletikës së Turqisë e zhvillon këtë garë për t’i dhënë mundësinë shumë atletëve që të kapin dhe normën. Dhe ky është dhe një shans i mirë edhe për atletin tonë Izmir Smajlaj.
Vijon nesër…