AlbanianSport.com 05/01/2018 15:25
ASNN – Zhorzh Ueah është konfirmuar tanimë zyrtarisht si president i vendit të tij të lindjes, Liberisë, por udhëtimi i tij drejt këtij tjetër kulmi në karrierë, ka qenë i njëjtë me atë gol fenomenal, të shënuar me fanellën e Milanit në një ndeshje të kampionatit italian të futbollit ndaj Veronës.
Ashtu sikundër në karrierën sportive, edhe në atë politike asgjë nuk ka qenë e lehtë për futbollistin nga vendi i varfër dhe i goditur nga lufta civile, i cili më 1995-ën u bë i pari futbollist afrikan që fitonte Çmimin prestigjioz të futbollistit të vitit. Të mërkurën ai triumfoi në zgjedhjet për president të vendit të tij.
Ai ka fituar në 12 nga 15 rajonet administrative të Liberisë, duke mposhtur zv/presidentin prej 12 vitesh, Zhozef Boakain. Ueah e kishte provuar edhe në 2005-ën, por ishte mundur në balotazh nga fituesja e çmimit “Nobel”, Elenë Xhonson Sërlif. Megjithatë, ai nuk dorëzua, dhe, ashtu sikundër kishte bërë në futboll, luftoi dhe, pas 12 vitesh, u rikthye triumfator.