AlbanianSport.com 05/01/2018 08:45
ASNN – Diagonalistja e Kombëtares kuqezi të volejbollit të femrave, Erblira Bici, e cila e ka mbyllur fazën e parë në kuotën e 300 pikëve të realizuara në 16 ndeshje, rikthehet në parket më 6 janar me skuadrën e saj italiane të LPM Mondovisë. Për shqiptaren 1 m e 84 centimetra të lartë, vendi i dytë në përfundim të fazës së parë të Serisë A2 është një arritje, por është bërë vetëm gjysma e rrugës.
E ka mbyllur 2017-tën me një fitore në 3 sete ndaj Zambeli Orvietos dhe me një vend të dytë në përfundim të fazës së parë, me 34 pikë, vetëm një pikë më pak sesa kryesuesja, San Bernarda Kuneo, të cilët e mundi në fushën e vet në ndeshjen e parafundit të këtij viti. Dhe volejbollistja shqiptare, Erblira Bici, ia ka kushtuar këtë fitore shpirtit të skuadrës.
“Ata kanë një skuadër të fortë dhe, pavarsisht fitores në 3 sete, ne ia dolëm duke luajtur të gjitha bashkë, – ka deklaruar ajo, duke folur për faqen zyrtare në Internet të klubit italian të volejbollit të femrave. – Megjithëse kishim probleme me një epidemi të lehtë gripi, por, si gjithmonë, ne luajmë në grup dhe e mbyllëm me sukses edhe këtë ndeshje.”
Për shqiptaren 1 m e 84 centimetra të lartë, vendi i dytë është një arritje, por është bërë vetëm gjysma e rrugës. “Jemi mirë, por është luajtur vetëm faza e parë dhe na duhet të punojmë fort për t’i fituar edhe ndeshjet e fazës së dytë dhe pastaj mund të flasim”, – ka theksuar Bici. Diagonalistja e Kombëtares kuqezi të volejbollit të femrave e ka mbyllur fazën e parë në kuotën e 300 pikëve të realizuara në 16 ndeshje, me një mesatare prej 18.8 pikësh për ndeshje.
Bicili rikthehet në parket më 6 janar me LPM Mondovinë, me sfidën në fushën e vet ndaj SIGEL Marsalasë, të cilën e kanë mundur në 4 sete në fazën e parë.