AlbanianSport.com 22/12/2017 15:00
ASNN – Atletika shqiptare është në zi, ndërsa dje ka humbur një tjetër figurë të historisë së saj. Bëhet fjalë për Mjeshtrin e Merituar të Sportit, Shaban Lundra, i cili është ndarë nga jeta në moshën 86-vjeçare. Atlet që në fillim tek Partizani e për më tepër “kampion” në garat e shpejtësisë në 100 dhe 200 metra. Jo vetëm kaq, por është rekordmen në stafetën 4×100 metra.
Ka ushtruar më pas pozicionin e trajnerit tek Partizani, të inspektorit në klubin shumësportësh “Partizani”, pa thënë që për gati dy dekada ka qenë edhe kryegjyqtari i atletikës shqiptare. Në të njëjtën kohë ka qenë edhe shef i prapavijës në Spitalin Ushtarak në Tiranë, sot Spitali i Traumës. Për ta nderuar trupi i tij është vendosur që dje në mjediset e Hotel “Internacionalit” në kryeqytet.
Ndërsa presidenti i Federatës Shqiptare të Atletikës, Gjergji Ruli, dhe sekretari i përgjithshëm Nikolin Dionisi kanë bërë homazhe dhe kanë vënë kurorë me lule. Përcjellja për në banesën e fundit është bërë sot në ora 14:00. AlbanianSport.com i shpreh ngushëllimet e saj familjes Lundra, por edhe komunitetit të atletikës shqiptare për ndarjen nga jeta të Shabanit.