AlbanianSport.com 22/12/2017 10:40
ASNN – Kampioni i Ballkanit dhe i Evropës në Salla të Mbyllura, por njëkohësisht dhe rekordmeni kombëtar i kërcimit së gjati, Izmir Smajlaj, është tashmë në nivele botërore. Konfirmohet një gjë e tillë nga fakti që në një test stërvitor në Ankona, të cilin e ka kryer dje, ka kërcyer 8.32 metra.
Ka qenë në kushte palestre dhe si e tillë gara nuk është zyrtare, por që për presidentin e Federatës Shqiptare të Atletikës, Gjergji Ruli, që është njëkohësisht dhe trajneri i Smajlajt, ai renditet i pari me këtë rezultat në nivele botërore. “Sepse, – thotë Ruli, – aktualisht nuk ka kërcyes mbi 8.20 metra.”
“E këto janë efektet e stërvitjes që jemi duke bërë me të, – vijon ai. – Dhe bindemi që shumë shpejt do të na vijnë dhe rezultatet e kërkuara”. Aktualisht Smajlaj është shpallur Kampion Evrope me 8.08 metra në Beograd në marsin e vitit të kaluar, ndërsa pati premtuar se do të jetë shumë shpetj 8.30 metra.
Aktualisht, shkodrani është rekordmen kombëtar në kërcim së gjati në salla të mbyllura me 8.08 metra, si dhe në pista të hapura 8.03 metra. E tashmë që është në nivele botërore, të paktën me rezultatin e testit stërvitor në Ankona, atëherë pritet shumë prej Izmir Smajlajt.