AlbanianSport.com 21/12/2017 18:50
ASNN – Edhe niveli i dytë i Kampionatit Kombëtar të Futbollit, që njihet si Kategoria e Parë, do të luajë të premten dhe të shtunën ndeshjet e javës së 12-të. Të premten, duke nisur nga ora 13:00, luhet takimi i parë, ai midis Naftëtarit dhe Tiranës, që do të zhvillohet në Stadiumin “Bashkim Sulejmani” të Kuçovës dhe është i vlefshëm për grupin B, apo grupin e Jugut.
Kjo është një sfidë skajesh, sepse, teksa bardheblutë kryeqytetas vijnë si kryesues të shkëputur, me 28 pikë, vendasit vijnë si vendi i fundit i renditjes, me vetëm 5 pikë të marra në 11 javët e para. Në takimet e tjera të grupit B, që luhen të shtunën duke nisur të gjitha nga ora 13:00, Bylisi pret në Ballsh Turbinën, kurse Shënkolli është mysafir në Fushë-Krujë, për t’u ndeshur me Ilirinë.
Ndërsa Tomori përballet me Shkumbinin në Peqin. Takimi më i spikatur i kësaj jave të grupit B është ai midis Pogradecit dhe Apolonisë. Ndërkaq, të shtunën, duke nisur nga ora 13:00, luhen edhe të gjitha takimet e grupit A, apo grupit të Veriut dhe dueli më interesant është ai i Lezhës, ku Besëlidhja pret Erzenin, ndërsa Burreli është mysafir në kryeqytet, për t’u ndeshur me Dinamon.
Kastrioti dhe Vllaznia B përballen në Krujë, Korabi ndeshet në Peshkopi me Egnatian e Rrogozhinës, kurse në takimin e fundit, Besa ka udhëton drejt Pukës, për t’u ndeshur me Tërbunin.