AlbanianSport.com 20/12/2017 17:55
ASNN – Mlladen Milinkoviç e udhëhoqi sezonin e shkuar Luftëtarin nga një skuadër e ardhur nga Kategoria e Parë, tek vendi i 4-t në Kategorinë Superiore dhe ai e ka të qartë se me çfarë skuadre përballet të premten me Kukësin e tij. Për serbin e stolit kukësian, gjendja në renditje dikton rëndësinë e përqendrimit të plotë për pjesën e mbetur të sezonit.
Kukësi ndeshet të premten me Luftëtarin, në takimin e vlefshëm për javën e 16-të të Kategorisë Superiore dhe për trajnerin e verilindorëve, fokusi është tek ndeshja. “Unë jam trajneri i skuadrës dhe jo zëdhënësi i klubit, kështu që nuk më takon mua të zyrtarizoj afrime apo largime, – ka thënë Milinkoviçi. – Kemi kohë boll për të diskutuar për merkaton e janarit, por më parë duhet të merremi me ndeshjen që kemi Luftëtarin.”
“Kjo është një ndeshje e vështirë, me një kundërshtar të vështirë, që për më tepër vjen në një moment të mirë”, – ka shtuar ai. Milinkoviç e udhëhoqi sezonin e shkuar Luftëtarin nga një skuadër e ardhur nga Kategoria e Parë, tek vendi i 4-t në Kategorinë Superiore dhe ai e ka të qartë se me çfarë skuadre përballet të premten, teksa thotë: “Luftëtari është një skuadër që është shumë më tepër sesa ajo fitore e bujshme me Partizanin”.
“Luftëtari është një skuadër që, edhe kur është mundur, ka bërë një lojë shumë të mirë, ndërsa mund të them me siguri që nuk ka marrë gjatë këtij sezoni atë që ka merituar të marrë, – ka vijuar Milinkoviçi. – Ata janë një grup i mirë lojtarësh, që nuk ka ndryshuar shumë nga sezoni i shkuar, por që këtë sezon ka vuajtur fatin e keq, por edhe një luftë të ashpër në Kategorinë Superiore.”
“Prandaj nuk kam iluzione për kundërshtarin e së premtes dhe këtë ia kam bërë të qartë edhe skuadrës”, – ka pohuar serbi i stolit kukësian, për të cilin, gjendja në renditje dikton rëndësinë e përqendrimit të plotë për pjesën e mbetur të sezonit. “Natyrisht që unë kam theksuar se dua ta mbyll këtë vit me dy fitore dhe njërën e morëm në Durrës ndaj Teutës”, – ka thënë Milinkoviçi.
“Kështu që tani kemi për detyrë të fitojmë edhe ndaj Luftëtarit, kjo edhe për arsye se, nëse duam të mbetemi në lojë për titullin, duhet së pari të mos lëshojmë pikë në fushën tonë. Është edhe diferenca prej 9 pikësh që na ndan nga Skënderbeu kryesues ajo që na dikton se nuk na lejohen më gabime, aq më tepër në shtëpi”, – ka përfunduar trajneri i Kukësit. Takimi Kukësi-Luftëtari luhet të premten në Stadiumin “Zeqir Ymeri”, duke nisur nga ora 13:00.