AlbanianSport.com 20/12/2017 17:05
ASNN – Pas ekipeve përfaqësuese, por edhe Skënderbeut dhe Partizanit të Beogradit në futboll, duelet sportive midis skuadrave shqiptare dhe atyre serbe do të shtrihen tanimë edhe në një tjetër rrafsh, atë të regbisë. Klubi i Regbisë “Tirana”, është një nga 3 klubet e reja, së bashku me dy greke që i bashkohet kësaj veprimtarie rajonale, e cila e zgjeron kështu gjeografinë e saj në 2018-ën.
Ndonëse sporti i regbisë është ende në fazën e tij fillestare në Shqipëri, prapëseprapë do të jetë edhe një skuadër shqiptare që do të marrë pjesë në Ligën Ballkanike, që pritet të zhvillohet përgjatë vitit 2018 nëpër 6 vende të Gadishullit. Bëhet fjalë për Klubin e Regbisë “Tirana”, i cili, së bashku me dy greke, është një nga 3 klubet e reja që i bashkohet kësaj veprimtarie rajonale, e cila e zgjeron kështu gjeografinë e saj në 2018-ën.
Një gjë e tillë është konfirmuar për Televizionin Shqiptar nga vetë klubi kryeqytetas i regbisë, por edhe nga organizatorët, të cilët kanë informuar se tanimë 12 ekipet pjesëmarrëse do të vijnë nga Shqipëria, Turqia, Greqia, Bosnjë-Hercegovina, Bullgaria dhe Serbia. Më konkretisht, nga Greqia do të marrin pjesë Rodes Knight Rugby, RL Patras Panthers, nga Bosnjë-Hercegovina, RLK FIS Vitezhi dhe RLK Bijeli Zecevi Banja Luka, dhe, nga Bullgaria RLC Lokomativa e Sofjes.
Po kështu, edhe dy klube turke, përkatësisht kampionia dhe nënkampionia, që do të mësohen pas 27 janarit 2018, kur të mbarojë edhe kampionati vendas. Ndërkohë që pritet konfirmimi edhe nga një skuadër tjetër, 3 ekipet e tjera janë serbe dhe ato janë Radniçki i Nishit, RLC Cërvena Zvezda dhe RLC Partizani i Beogradit. Data dhe vendet e zhvillimit të ndeshjeve të Ligës Ballkanike të Regbisë pritet të konfirmohen në javët e para të janarit.