AlbanianSport.com 11/12/2017 11:05
ASNN – Dinamo ka mundur të dielën Besën me një gol të vetëm, në takimin e luajtur në Pezë-Helmës dhe që u soll për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar. Po me një gol të vetëm, Egnatia ka triumfuar në Shkodër ndaj Vllaznisë B, ndërsa të dy takimet ishin të vlefshme për grupin A, apo grupin e Veriut të nivelit të dytë të kampionatit shqiptar të futbollit, Kategorisë së Parë.
Kështu, Kategoria e Parë e Kampionatit Kombëtar të Futbollit i ka luajtur të dielën dy takimet e fundit të javës së saj të 10-të. Besa e pati fituar 2-0 ndeshjen e fazës së parë në fushën e vet dhe e ka nisur më mirë takimin e së dielës, duke rrezikuar në disa raste, madje edhe seriozisht portën e Dinamos. Vetëm pas minutës së 20-të do të zgjohen kryeqytetasit.
Dhe, pas një rasti të humbur në minutën e 23-të, do të jetë Mirel Çota ai që do të godasë zgjuarsisht dhe do të gjejë të papërgatitur portierin kavajas, duke përshëndetur rrjetën. Pavarsisht pësimit të golit, Besa nuk do të tulatet, por do të ngulmojë në përpkjekjet e saj në drejtim të portës dinamovite, por pa e gjetur dot shpejt golin e barazimit.
Në krahun tjetër, Dinamo do të kërkojë të godasë me kundërsulm dhe, pas një gjysmë ore lojë, është autori i golit, Çota, ai që do të shkojë dëm një rast të shkëlqyer për shënim për blutë kryeqytetas. Me epërsinë minimale të vendasve do të mbyllen 45 minutat e para, ndërsa pjesa e dytë do të jetë nën nivelin mesatar dhe nuk do të sjellë gola të tjerë.
Dinamo fiton me rezultatin 1-0, dhe ngjitet në vendin e 6-të në renditje, me 13 pikë, po aq sa ka edhe Besa dhe Korabi.