AlbanianSport.com 11/12/2017 07:05
ASNN – Kategoria e Parë e Kampionatit Kombëtar të Futbollit i ka luajtur të dielën dy takimet e fundit të javës së saj të 10-të, dhe duke nisur nga ora 13:00, Besa ka qenë mysafire në Pezë-Helmës, për t’u ndeshur me Dinamon, në takimin që u soll për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar dhe që u fitua nga blutë kryeqytetas me një gol të vetëm.
Po me një gol të vetëm, Egnatia ka triumfuar në Shkodër ndaj Vllaznisë B, ndërsa të dy takimet ishin të vlefshme për grupin A, apo grupin e Veriut të nivelit të dytë të kampionatit shqiptar të futbollit. Shtatë nga ndeshjet e javës së 10-të janë luajtur të shtunën, kurse përballja Tërbuni-Besëlidhja është ndërprerë që në minutën e 2-të, për shkak të kushteve të motit, që e kanë bërë të pamundur vazhdimin e lojës.
Në grupin A, apo grupin e Veriut Kastrioti ka bërë detyrën me Burrelin në shtëpi, duke fituar 1-0, ndërsa ndeshja Korabi-Erzeni ne Dibër ka përfunduar në barazim 1-1. Ndërkaq, grupi B i ka luajtur të shtunën të gjitha ndeshjet e tij dhe Bylisi ka mundur Shkumbinin 3-0, ashtu sikundër ka triumfuar me të njëjtat shifra edhe Tirana në Fushë-Krujë ndaj vendasve, ndërsa Pogradeci ka fituar 3-1 në fushën e vet ndaj Tomorit.
Fitore në fushë të huaj korri edhe Apolonia, që fitoi 2-0 në Shënkoll ndaj ekipit vendas, kurse përballja Naftëtari-Turbina u mbyll në barazim 1-1.