AlbanianSport.com 17.10.2014 17:05
ASNN – Donald Suxho ka mbajtur të hënën një leksion teorik e praktik në Universitetin e Sporteve. Ish-ylli i skuadrës së SHBA foli drejtoi edhe një seancë stërvitore. Një praktikë e tillë është normale në botë dhe kjo ndodhi edhe në Universitetin e Sporteve në Tiranë. Donald Suxho, një nga yjet më të mëdhenj të sportit botëror, me origjinë shqiptare, dha një leksion dhe, me dhjetëra studentë të degëve të ndryshme sportive, patën shansin të dëgjonin përvojën e njeriut që arriti majat me ekipin përfaqësues të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Po ashtu edhe të stërviteshin prej tij. Gjithçka ishte e organizuar në një bashkëpunim të Universitetit, Federatës Shqiptare të Volejbollit dhe Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar. Studentët dëgjuan nga goja e Suxhos se nuk është vetëm fati që i përcakton jetën njeriut. Profesionisti arrin të mbizotërojë edhe ndaj fatkeqësive sportive, tha Suxho, i cili u duartrokit fort. Më pas u respektua nga Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar, me një diplomë vlerësimi.
Po ashtu, respektimi u bë edhe nga Federata Shqiptare e Volejbollit. Pjesa e dytë e leksionit të Suxhos ishte në parket. Në sallën e lojrave të Universitetit ai drejtoi një seancë stërvitore me disa studentë-sportistë, djem dhe vajza, që luajnë në ekipe të ndryshëm në Shqipëri. Kjo ishte një risi në Universitetin e Sporteve dhe besohet se do të vazhdojë.