AlbanianSport.com 30/11/2017 07:55
ASNN – Çështja e mungesës së Daniel Godellit në Kampionatin Botëror të të rriturve në peshëngritje, i cili ka nisur dje në Anaheim të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, është shtruar për diskutim dhe në Kongresin Botëror. Sa për informacion të lexuesve, Godelli aplikoi dy herë për të marrë vizën në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, ndërsa viza iu refuzua sepse kjo ambasadë nuk ka qenë e bindur se peshëngritësi mund të kthehej në vendin e tij.
Ndërkohë për çështjen në fjalë presidenti i Federatës Evropiane të Peshëngritjes, Antonio Urso, i cili ishte për vizitë në Tiranë më 14 nëntor për Kampionatin Evropian të të rriturve që në mars-prill 2018 do të bëhet në kryeqytetin tonë, pati deklaruar se, duke qenë me tagrin e anëtarit të bordit ekzekutiv të Federatës Botërore do të ngrinte zërin për rishikimin e statutit në mënyrë që vendet organizatore të marrin më tepër përgjegjësi kur bëhet fjalë për sportistë.
Dhe nga kjo nxitje, presidenti i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Elez Gjoza, e ka ngritur zërin në Kongresin Botëror.