AlbanianSport.com 27/11/2017 19:05
ASNN – Kategoria Superiore ka mbyllur sot javën e 12-të, me sfidën kryesore të saj, atë që u luajt në mbrëmje në kryeqytet midis Partizanit dhe Skënderbeut. Kjo sfidë, që u soll për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, u mbyll me shifrat 0-0. Partizani dhe Skënderbeu janë ndarë me rrjeta të paprekura të hënën, në sfidën kryesore të javës së 12-të të Kategorisë Superiore, që u luajt në mbrëmje në kryeqytet dhe që u soll për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar.
Ndeshja ka nisur me një minutë heshtje dhe një homazh për tifozin e spikatur të Partizanit, Arjan Deraj, i cili u shua papritur në moshën 46-vjeçare. Përballja ka nisur më mirë për Partizanin, që madje e ka gjetur golin në minutën e 4-t, por ai është anuluar për pozicion jashtëloje. Por përsëritjet televizive sugjerojnë se gjyqtari kryesor dhe ai anësor mund të jenë nxituar pak në vendimin e tyre. Përtej këtij episodi, e gjithë pjesa e parë e kësaj sfide të shumëpritur ka qenë, në fakt, nën nivelin mesatar, me një lojë të ngjeshur dhe me të të dyja skuadrat të disiplinuar taktikisht.
Kjo ka bërë që si Partizani, ashtu edhe Skënderbeu të mos rrezikojnë në lojën e tyre, duke i kufizuar kështu rastet e ndërtuara për shënim. Ndonëse korçarët kanë bërë një vëllim pak më të madh loje, janë të kuqtë kryeqytetas që janë më pragmatistë dhe cinikë në lojën e tyre, duke e synuar dhe e rrezikuar më tepër portën kundërshtare. Përkundër rasteve të ndërtuara nga Partizani përgjatë 18 minutave të para, Skënderbeu ka vetëm një rast për shënim në minutën e 19-të, kur Soue dhe Xhejms tregohen të pasaktë para portës së Hoxhës.
Pavarsisht përpjekjeve dhe rasteve për shënim të Partizanit, pjesa e parë do të mbyllet me rrjeta të paprekura. E dyta do të jetë pak më intensive, me të dyja skuadrat më kërkuese në kërkim të portës së njëra-tjetrës, por njëlloj të paqarta dhe të pasakta në fazën e finalizimit të aksioneve. Kështu do të ndodhë në minutën e 56-të, kur Gavazaj bën një driblim të bukur nga e djatha dhe pason për Takun, ky i fundit gjuan, por topi përfundon në duart e Hoxhës. Në krahun tjetër, nga një kundërsulm i shpejtë i Partizanit, Asani provon me një gjuajtje të befasishme nga distanca, topi largohet me vështirësi nga portieri Shehi.
Kështu ndodh edhe në minutën e 65-të, kur Partizani do të shkojë dëm edhe rastin më të volitshëm për shënim, kur Trashi, pak metra larg portës, ka goditur në mënyrë katastrofike, duke e dërguar topin jashtë kuadratit. Pavarasisht përpjekjeve të të dyja skuadrave, ndërrimeve të bëra nga trajnerët dhe 3 minutave shtesë, në të cilat Sukaj humbet një rast të pafalshëm, gjithçka mbyllet me rrjeta të paprekura dhe Skënderbeu kryeson i shkëputur renditjen në kuotën e 28 pikëve, 6 pikë më tepër sesa Kukësi i vendit të dytë dhe 6 më tepër sesa Flamurtari.