AlbanianSport.com 26/11/2017 10:55
ASNN – Niveli i dytë i Kampionatit Kombëtar të Futbollit, që njihet si Kategoria e Parë, ka luajtur të shtunën shumicën e ndeshjeve të javës së saj të 9-të. Një nga takimet më të spikatura të kësaj jave, që ka ardhur për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, ai midis Apolonisë dhe Bylisit, u fitua nga vendasit me rezultatin 3-1.
Kategoria e Parë e Kampionatit Kombëtar të Futbollit ka luajtur të shtunën 9 nga 10 ndeshjet e javës së 9-të në të dy grupet e saj, që është njëkohësisht edhe java e fundit e fazës së parë. Sikundër gjatë gjithë këtij sezoni, një nga takimet më të spikatura të kësaj jave ka ardhur për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar. Bëhet fjalë për sfidën midis Apolonisë dhe Bylisit, që u luajt pasdreke dhe ishte e vlefshme për grupin B, apo grupin e Jugut.
Vendasit kanë fituar me një gol në pjesën e parë dhe dy herë në të dytën, duke i shkaktuar Bylisit një humbje 1-3, që ishte e para për ballshiotët në këtë sezon. Në takimet e tjera të grupit B, Shënkolli ka ndalur Tiranën në një barazim 1-1, ashtu sikundër është mbyllur me të njëjtat shifra edhe ndeshja Naftëtari-Shkumbini. Iliria e Fushë-Krujës ka mposhtur minimalisht Tomorin, ashtu sikundër ka fituar në shtëpi, 2-1, edhe Pogradeci ndaj Turbinës së Cërrikut.
Ndërkaq, në grupin B, Vetëm Vllaznia B ka korrur një fitore, 1-0 ndaj Burrelit, kurse 3 takimet e tjera, janë mbyllur në barazim. Dinamo dhe Besëlidhja kanë shënuar nga një gol e kanë ndarë nga një pikë secila, ndërsa përballjet Egnatia-Tërbuni dhe Korabi-Besa u mbyllën me rrjeta të paprekura. Ndërkohë, kjo javë mbyllet të dielën, me sfidën e fundit, atë midis Kastriotit dhe Erzenit, që do të sillet për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, duke nisur nga ora 14:00.