AlbanianSport.com 03.10.2017 10:45
ASNN – Kukësi është mundur në fushën e vet nga Skënderbeu 1-2. Një humbje që duket se dhemb për të gjithë stafin drejtues, futbollistët dhe tifozët e skuadrës verilindore. Por pse u mund Kukësi në një ndeshje mjaft delikate për ecurinë e kësaj skuadre në kampionat? “Mendoj se Kukësi humbi se s’kishte mesfushë”, – ka thënë trajneri i verilindorëve Mlladen Milinkoviç.
“Shumë të mërzitur sepse e pësuam këtë humbje në fushën tonë dhe golin e parë e pësuam nga një gabim i yni, – ka vijuar ai. – Pjesën e parë kishim një rast për të barazuar. Nëse do të ndodhte kjo ndoshta ndryshe do të kishin shkuar gjërat më pas. Në pjesën e parë luajtëm shumë keq, i lamë hapësira Skënderbeut dhe po ia krijove këto mundësi atij, ai të shënon.”
Duket se nuk ka qenë lodhja ajo që ka ndikuar për keq në skuadrën verilindore. Por sipas trajnerit Milinkoviç, është ana psikologjike e futbollistëve. Ata nuk bëjnë në ndeshje atë çfarë bëjnë në stërvitje, ka thënë më tej Milinkoviç. “Jo, jo, skuadra është aspak e lodhur, – ka theksuar serbi i stolit të kampionëve në fuqi. – Nuk ka probleme fizike te lojtarët. Është ana psikologjike e tyre ajo që më shqetëson.”
“Futbollistët nuk bëjnë në lojë ato skema që kemi bërë sa e sa herë në stërvitje, – ka zbuluar ish-trajneri i Luftëtarit. – Për këtë do të flas me ta kur të fillojmë stërvitjen. Menduam që të fitonim me Skënderbeun në mënyrë që të shkonim më të qetë në këtë periudhë pushimi të kampionatit. Por, fatkeqësisht, ndodhi e kundërta. Pas 4 javëve të para, Kukësi ndodhet në vendin e dytë në renditjen e Kategorisë Superiore, me 7 pikë, 3 më pak se Skënderbeu kryesues.