AlbanianSport.com 21.09.2017 14:20
ASNN – PAOK-u i Selanikut akuzohet nga organizmi që qeveris futbollin evropian, UEFA, për shkelje të rregullores në Ligën e Kampioneve në futboll për femra. Një gjë e tillë mësohet nga dokumentat ekskluzivë që RTSH ka arritur të sigurojë, ku inspektori i Etikës dhe Disiplinës në UEFA i sugjeron Komisionit të Disiplinës marrjen e masave ndaj klubit grek. Ndëshkimi i mundshëm i grekeve nënkupton se është Vllaznia ajo që kualifikohet për më tej në fazën tjetër të Ligës së Kampioneve.
Ndonëse është eliminuar nga faza e grupeve të Ligës së Kampioneve, Vllaznia ende shpreson për një vend në turin e 32-shes së veprimtarisë më prestigjioze kontinentale të klubeve të futbollit të femrave. Kjo pasi skuadra e kualifikuar në kurriz të shkodraneve, PAOK-u i Selanikut, akuzohet nga organizmi që qeveris futbollin evropian, UEFA, për shkelje të rregullores. Një gjë e tillë mësohet nga dokumentet ekskluzivë që RTSH Sport ka arritur të sigurojë, ku inspektori i Etikës dhe Disiplinës në UEFA i sugjeron Komisionit të Disiplinës marrjen e masave ndaj klubit grek.
Shkodranet ishin shumë pranë kalimit të fazës së grupeve, pasi dy fitoreve, 1-0 ndaj FK Sarajevës dhe 2-0 ndaj Betemburgut, por kanë vijuar ta humbin ndeshjen më të rëndësishme, atë me PAOK-un e Selanikut. Megjithatë, pas ndeshjes është mësuar se skuadra greke ka futur në fushë në ndeshjen e parë me luksemburgaset, një lojtare me identitet të rremë. Një gjë e tillë është vënë në dukje nga klubi shqiptar dhe greket nuk e aktivizuan lojtaren në fjalë në ndeshjen me Vllazninë, ndonëse e kishin në protokoll.
Për këtë qëllim, drejtuesit e klubit kuqeblu të futbollit të femrave patën paraqitur një ankesë zyrtare pranë UEFA-s. Ankesë të cilën e kanë shoqëruar edhe me një dosje të hollësishme ku çdo gjë është ilustruar madje me foto. Shkodranet pretendojnë se lojtarja Eleni Janu, 23 vjeç, nuk ka udhëtuar me skuadrën greke, për shkak të një dëmtimi, por në vendin e saj, me emrin dhe dokumentacionin e saj, në ndeshjen e parë me skuadrën luksemburgase, ka luajtur 18-vjeçarja Krisa Tsakiri.
Kjo e fundit, në ndeshjen me Vllazninë është dërguar fillimisht në tribunë e më pas është larguar nga stadiumi nga drejtuesit e skuadrës selanikase. Relacioni prej 9 faqesh i inspektorit të UEFA-s, i siguruar nga RTSH Sport i referohet pikërisht këtyre ngjarjeve dhe, ndërkohë që thekson se apeli i Vllaznisë nuk qëndron, sepse lojtarja në fjalë nuk ka luajtur ndaj shkodraneve dhe nuk ka ndikuar në rezultatin e ndeshjes, në anën tjetër, vërteton se, për një numër arsyesh, klubi grek ka kryer të paktën dy shkelje të rregullores së veprimtarisë dhe rregullores së disiplinës.
Sipas një eksperti të këtyre çështjeve pranë Federatës Shqiptare të Futbollit, PAOK-u i Selanikut rrezikon një dënim që luhat nga minimalisht një gjobë, deri në përjashtim nga veprimtaria. Ndëshkimi i mundshëm i grekeve nënkupton se është Vllaznia ajo që kualifikohet për më tej në fazën tjetër të Ligës së Kampioneve në Futboll për Femra. UEFA e ka shtyrë marrjen e vendimit më 21 shtator 2017.