Gjergj Vyshka 21.09.2017 13:25
Trajneri Driton Kuka ka njoftuar se kampionia olimpike në xhudo, Majlinda Kelmendi, ka filluar rehabilitimin në Slloveni tek mjeku Mit Braçiç. Një javë më parë, Kelmendi u operua për shkak të dëmtimit që ka pësuar në Kampionatin Botëror, i cili u zhvillua në gusht në Budapest. “Matjet muskulore u kryen si masa paraprake për të ecur më tutje me rehabilitimin”, – ka sqaruar Kuka.
“Federata e Xhudos e Kosovës u përkujdes për shpenzime të operimit dhe operacionin doktor Florini e ka bërë si gjithmonë pa pagesë, – ka vijuar trajneri i kampiones botërore. – Komiteti Olimpik i Kosovës do përkrah kampionen olimpike në këtë fazë rehabilitimit në Slloveni dhe jemi mirënjohës.”
“Madje jemi mirënjohës edhe për iniciativën e Komitetit Olimpik të Kosovës për sigurime shëndetësore për sportistët elitar, i cili do jetë një impuls i ri për përkujdesjen shëndetësore të sportistëve”, – ka shtuar ai. Madje Kuka ka dhënë edhe një zotim ambicioz sa i përket xhudos së Kosovës.
“Ekipi ynë me në krye me Majlindën pretendon medalje në “Tokio 2020” dhe për të shkuar në këtë Olimpiadë jemi të preokupuar dhe të gatshëm për të arritur të paktën tre norma kualifikimi. Dhe mandej finalja do të jetë medalja olimpike”, – ka përfunduar trajneri i Majlinda Kelmendit, Driton Kuka.