AlbanianSport.com 05.09.2017 23:55
ASNN – Ndeshja që u soll për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar është vendosur nga dy gola të shënuar nga secila skuadër në pjesën e dytë. Pjesa e parë ka parë një Maqedoni të rreshtuar me skemën 4-2-3-1, por me theks më sulmues, ndërsa Shqipëria është përgjigjur me një 4-2-3-1, të ngjeshur në mesfushë, me Sadikun të vetëm në sulm, të ndihmuar nga Hyka dhe Llullaku në krahë. Pas 5 minutash lojë, Maqedonia rrezikon e para me një depërtim nga e djathta, pasim në qendër të zonës, por largon Ajeti për një goditje këndi.
Vendasit vazhdojnë të këmbëngulin dhe në minutën e 11-të, Alioski depërton në fundore nga e majta, kroson në zonë, nuk arrijnë maqedonasit, dhe largon me kokë Mavraj, ndërsa Shqipëria kalon çaste të vështira në zonë. Katër minuta më pas, është lojtari i Palermos, Nestorofski, që rrotullohet në hyrje të zonës, në rënie e sipër godet, lart, mbi shtyllën horizontale të Berishës. Në çerekorën e parë të lojës, Shqipëria është e bllokuar që në mesfushë nga trysnia e maqedonasve, që, në anën tjetër, rrezikojnë me inkursionet nga krahët dhe me pasimet në qendër.
Në minutën e 20-të, Ristevski pason për Pandev, godet veterani nga jashtë zone, larg kuadratit. Shqipëria mundohet të reagojë menjëherë, kur Llullaku provon të depërtojë në qendër, mbyllet nga dy mbrojtës, del shpejt edhe portieri maqedonas që zotëron topin. Kundërpëgjigjet Maqedonia dhe Pandevi godet fort nga larg, grushton me vështirësi Berisha, nuk përfitojnë maqedonasit, largon mbrojtja e Shqipërisë. Janë minuta të mira për vendasit dhe, pas një goditjeje të lirë nga larg, Berisha sërish nuk e zotëron siç duhet topin.
Sidoqoftë, ai e largon me vështirësi brenda zonës për një goditje këndi, edhe me ndihmën e Lilës. Shqipëria ka mundësi në minutën e 25-të, por shpërdoron Sadiku, që vonohet në pasim në një kundërsulm të 3 futbollistëve të Kombëtares, e bllokon mbrojtësi maqedonas. Rasti më i mirë, i mbetur në tentativë, i Shqipërisë. Loja bie në një përgjumje, por në minutën e 37-të, Mavraj merr karton të verdhë, i pari i ndeshjes, dhe kështu mungon në sfidën e radhës, atë me Spanjën. 7 minuta para fundit të pjesës së parë, Pandev dhe Nestorofski nuk përfitojnë dot brenda zonës, largon Ajeti për një këndore.
Në minutën e 42-të, Kukeli merr karton të verdhë, i dyti i ndeshjes, mungon edhe ai në sfidën e radhës, atë me Spanjën. Mbyllet kështu me rrjeta të paprekura pjesa e parë e sfidës së Strumicës, ndërsa e dyta fillon me dy ndërrime për Kombëtares shqiptare, pasi Basha dhe Memushaj kanë zënë vendin e Llulakut dhe Kukelit, duke përforcuar kështu mbrojtjen. Ndërrimet kanë dhënë fryte, pasi Shqipëria është më e mbledhur në lojën e saj dhe e hedh vështrimin drejt gjysmëfushës kundërshtare, ku, në minutën e 52-të, Sadiku ndërmerr një depërtim personal nga e majta.
Ai harkon në zonë, aty ku Roshi ka goditur saktë me kokë, duke mposhtur portierin vendas dhe duke përshëndetur rrjetën. Shqipëria ka minuta të mira dhe në të 56-tën, Memushaj ekzekuton fort një goditje e lirë, por grushton me vështirësi Dimitrevski për një këndore. Reagon Maqedonia, me një goditje këndi pas një ore lojë, me kokë brenda zone, por topi përfundon jashtë. Pak më pas, maqedonasit kërkojnë 11-metërsh për Nestorofskin, por gjyqtari suedez, Erikson, vazhdon lojën. Në minutën e 67-të, edhe Roshi hyn në bllokun e kartonave të verdhë të 49-vjeçarit Erikson.
Dhe, sikundër Mavraj dhe Kukesi, edhe 26-vjeçari do ta ndjekë sfidën me Spanjën si tifoz. Rast mjaft i volitshëm për Maqedoninë në minutën e 70-të, por Nestorofski nuk godet dot brenda zonës së rreptësisë, vijon aksioni godet Pandev me kokë, Hysaj largon topin para portës së boshatisur. Në minutën e 73-të, Agolli dëmtohet, del nga loja, Panuçi i jep debutimin kuqezi të riut Memolli. Maqedonasit këmbëngulin dhe brenda një minute, në të 76-tën, Alioski godet fillimisht nga larg, por pret Berisha.
Ndërsa menjëherë më pas, gardiani kuqezi grushton për një këndore. Trysnia e vendasve jep fryte në minutën e 78-të, kur shënuesi i golit, Roshi, prek topin me dorë brenda zone, gjyqtari Erikson jep 11-metërsh për maqedonasit. Godet nga pika e bardhë Trajkovski, barazon shifrat në 1-1. 10 minutat e fundit të kohës së rregullt flasin më tepër për vendasit të cilët e kërkojnë me ngulm golin e fitores. Në minutën e 80-të, (80’00”) Berisha pason keq, përfitojnë vendasit që rrezikojnë në një aksion të gjatë, por Shqipëria sidoqoftë mbijeton.
Katër minuta më pas, Berisha reagon dy herë radhazi brenda pak sekondash ndaj dy goditjeve, së pari të Aliofskit nga jashtë zone, pastaj të Nestorofskit, brenda saj, duke shmangur një gol të sigurt. Vazhdon dialogu i Aliofskit me Berishën në minutën e 86-të, një minutë më pas, edhe Basha merr karton i verdhë. Sidoqoftë, mbyllet me shifrat 1-1 kjo sfidë dhe Shqipëria konsolidon edhe më tepër vendin e 3-të të renditjes së grupit G, me 13 pikë, ndërsa Spanja, që ka fituar 8-0 ndaj Lihtenshtejnit, kryeson me 22 pikë, 3 më tepër sesa Italia e vendit të dytë, që fitoi 1-0 ndaj Izraelit.