Gjergj Vyshka 05.09.2017 21:55
Tirana, kampionia e Shqipërisë në basketboll për meshkuj, por njëkohësisht dhe fituese e Kupës së Shqipërisë dhe Superkupës, do të jetë pjesëmarrëse në Ligën Ballkanike. Tashmë kjo gjë ka ditë që është konfirmuar nga bardheblutë, ndërsa në sezonin 2017-2018 në Ligën Ballkanike, quajtur ndryshe “Sigal Uniqa Balkan Ligë”, do të marrin pjesë dhe Bashkimi i Prizrenit, Beroe Stara-Zagora, BC Levski Sofja, BC Akademik Plovdiv, KK Blokatehna, KK Ibar dhe Kumanovo 2009.
Që do të thotë se deri më tani janë bërë tetë skuadra, ndërsa për sezonin 2017-2018 pritet të ketë edhe skuadra nga Turqia. E për një paraqitje më mbresëlënëse, Tirana ka nisur kontaktet dhe pritet të konfirmojë dy basketbollistët e parë, të cilët vijnë nga Mali i Zi. Janë Aleksandër Miliç dhe Balsa Krivokapiç. Trajner është konfirmuar malazezi Nikola Milatoviç, kurse bardheblutë kanë pasur dhe sezonin e kaluar të huaj, të tillë si amerikanët Grifin Rame dhe Manuel Xhonson, apo dhe maqedonasin Petrovski e malazezin Gavraniç. Megjithatë tashmë pritet të firmosin me dy malazezët e parë, si dhe amerikanë, që shumë shpejt pritet të bëhen të ditur. Liga Ballkanike do të nisë më 10 tetor, ndërsa si formulë është që dy të parët kualifikohen për në fazën finale, kurse e treta, e katërta, e pesta dhe e gjashta e grupeve do të luajnë për të caktuar dy gjysmëfinalistet e tjera. Gjithsesi Tirana tashmë është duke menduar për të huaj që do ta bëjnë grupin bardheblu më të fortë.