AlbanianSport.com 05.09.2017 14:55
ASNN – Superkupa e Shqipërisë është trofeu i parë për sezonin futbollistik 2017-2018, që do të përcaktojë fituesin të mërkurën. Në Stadiumin “Selman Stërmasi”, Kukësi kampion dhe Tirana fituese e Kupës së Shqipërisë, do të luajnë për të fituar trofeun. Dy trajnerët përkatës, Milinkoviç dhe Ze Maria, kanë shprehur synimet e tyre në konferencat për shtyp.
Kukësi do ta nisë sezonin e ri futbollistik me pretendimin për të fituar trofeun e parë. Të mërkurën do të ndeshet me Tiranën për të diskutuar Superkupën e Shqipërisë. Trajneri i “kampionëve” në fuqi, Mlladen Milinkoviç shprehet se, megjithë respektin që ka për kundërshtarin, do të hyjnë në fushë për të fituar.
Ndërkaq, përtej faktit që Tirana do të luajë këtë kampionat në Kategorinë e Parë, skuadra kryeqytetase vjen në përballjen ndaj Kukësit me synimin për të fituar trofeun. Një sfidë që për trajnerin Ze Maria, futbollistët, tifozët dhe gjithë stafin bardheblu ka një rëndësi të veçantë.
Ai beson se futbollistët e tij do të japin maksimumin për të fituar Superkupën. Ndeshja finale e Superkupës së Shqipërisë do të luhet të mërkurën, duke nisur nga ora 19:00, në Stadiumin “Selman Stërmasi” në kryeqytet dhe do të sillet për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar.