Gjergj Vyshka 16.10.2014 23:25
“Në përgjithësi, – ka deklaruar administratori i bluve të Dinamos, Ismet Saliaj, – gjendja ka qenë e mirë dhe që na bën me shpresë se do të jetë një paraqitje dinjitoze dhe në vizitën ballshiote. Sigurisht që kemi vështirësi, të cilat vijnë dhe për shkak të orarit të papërshtatshëm për stërvitjen tonë, e cila është 09:30. Ju them vetëm një shembull, Ferraj dje nuk ka qenë në stërvitje sepse s’i ka dalë gjumi.”
“Mirëpo të tillë situatë e kanë dhe futbollistët e tjerë dhe atëherë mendojeni vetë se si mund të vijnë në stërvitje në pikë të mëngjesit”, – ka shtuar ai. Ndërkohë java e re dhe që do të jetë përgatitja finale për ndeshjen me Bylisin nis të hënën në ora 09:30. Dhe alternativa e bluve për një mundësi stërvitjeje në fushën e vjetër duket se nuk ka rezultuar e suksesshme.
Sepse prej tre vjetësh që nuk përdoret ajo tashmë është kthyer e papërshtatshme. “Unë fola dhe me drejtorin e Agjencisë së Shërbimit të Sporteve, Bledar Doçi, me të cilin ramë dakord për një mundësi stërvitjeje atje, – ka pohuar Saliaj. – Por unë e shkela pëllëmbë për pëllëmbë dhe më duhet të them që në fakt, është krejtësisht jashtë përdorimit.”
“Dhe më pas në “vend që të vëmë vetullat do të nxjerrim sytë”, sepse aty mund të dëmtohesh në çdo moment. Megjithatë do ta rishikojmë dhe një herë si mundësi e më pas do të gjejmë një alternativë më të përshtatshme për stërvitjen e skuadrës”, – ka përfunduar administratori i Dinamos, Ismet Saliaj, kurse kështu dinamovitët kanë mbyllur javën me test brenda familjes.