AlbanianSport.com 01.09.2017 21:20
ASNN – Fusha e Stadiumit “Flamurtari” të Vlorës i është nënshtruar rikonstruksionit. Drejtuesit e klubit kanë vendosur të fillojnë punimet për përmirësimin e tapetit të blertë, i cili u dëmtua gjatë stinës së verës, për shkak të temperaturave të larta. Punimet zgjasin rreth dy javë, e kështu Flamurtari mund ta luajë ndeshjen e parë në fushën e vet vetëm në javën e katërt të kampionatit.
Kështu, kanë nisur punimet për sistemin e fushës së Stadiumit “Flamurtari”. Kjo gjë duket se do të sjellë emigrimin e skuadrës vlonjate, e cila ndeshjen e parë zyrtare në shtëpi mund ta luajë jashtë Vlorës. Takimin e parë të kampionatit, sipas kalendarit, vlonjatët do ta luajnë në Korçë ndaj Skënderbeut, ndërsa të dytin në Vlorë, kundër Lushnjës. Është pikërisht ky takim që rrezikon të luhet në një tjetër fushë.
Shkak janë bërë punimet që kanë nisur për të rregulluar gjendjen e fushës së stadiumit, e dëmtuar për shkak të thatësirës dhe temperaturave të larta që prekën qytetin bregdetar gjatë stinës së verës. Për të përmirësuar gjendjen e fushës duhen diçka më shumë se dy javë, ndërsa punimet nuk mund të kryheshin në temperature të larta dhe me uljen e tyre ka nisur puna.
Megjithatë duhen afërsisht 16 ditë nga ndeshja me Lushnjën, e parashikuar për javën e dytë të kampionatit dhe besohet se mund të përfundohet deri atëherë. Por në Vlorë nuk dëshirojnë që të rrezikojnë me gjendjen e fushës, me qëllimin që pas punimeve ajo të mund të përballojë të gjithë sezonin. Ndaj edhe ekziston mendimi që ndeshja me Lushnjen, të luhet jashtë qytetit të Vlorës, me qëllim që edhe punimet të kryhen me ritmin e duhur dhe me cilësi.
Madje të mos nxitohet në përmirësimin e kushteve dhe gjendjes së fushës, me qëllimin që ajo të jetë gati në javën e katërt të kampionatit, javë e cila duket se do të shënojë edhe ndeshjen e parë të Flamurtarit në stadiumin e vet.