AlbanianSport.com 31.08.2017 23:30
ASNN – Maratona e transmetimeve futbollistike në Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar, e cila do të vijojë për gjatë gjithë javës, ka nisur të enjten në mbrëmje me sfidën Francë-Holandë, që u fitua nga vendasit me rezultatin 4-0. Transmetuesi publik do të sjellë çdo ditë ndeshjet më të spikatura të Eliminatoreve të Botërorit 2018 për zonën e Evropës, por edhe atë të Amerikës Latine. Sonte vjen drejtpërdrejt supersfida Republika Çeke-Gjermani, që luhet duke nisur nga ora 20:45.
Kështu, me takimin Francë-Holandë, që është fituar nga vendasit me rezultatin e thellë, 4-0,ka ngritur siparin maratona e transmetimeve futbollistike në Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar, e cila do të vijojë për gjatë gjithë javës në transmetuesin publik, që do të sjellë ndeshjet më të spikatura të Eliminatoreve të Botërorit 2018 për zonën e Evropës, por edhe atë të Amerikës Latine. Francezët kanë zhvilluar një lojë mjaft të mirë dhe, përtej përpjekjeve në intervale të caktuara të ndeshjes, të holandezëve për t’u kundërpërgjigjur, e kanë merituar plotësisht fitoren e thellë.
Vendasit e kanë gjetur golin që në minutën e 14-të, kur Antuan Grizman ka nisur dhe ka përfunduar me sukses një aksion të skuadrës së tij. Me këtë epërsi njëgolëshe të francezëve është mbyllur pjesa e parë, ndonëse duhet theksuar se vendasit kanë dominuar plotësisht dhe mund të kishin shënuar edhe gola të tjerë. Pjesa e dytë e lojës, e cila ishte zhvilluar e hapur dhe me raste nga të dy palët, do të përcaktohet nga episodi i minutës së 62-të, kur Strotman do të ndëshkohet me karton të kuq, duke e lënë Holandën me 10 lojtarë.
Franca përfiton më së miri nga kjo epërsi dhe shënon 3 gola të tjerë, duke nisur fillimisht me goditjen e fuqishme të Tomas Lemarit, që përshëndet rrugën e rrjetës në minutën e 73-të. 15 minuta më pas, është sërish Lëmar që gjen rrugën e rrjetës, duke firmosur kështu dygolëshin e tij në këtë takim, ndërsa në fund ka kohë edhe për të sapofuturin Mbape që të shkuajë edhe ai emrin në listën e shënuesve të kësaj ndeshjeje. Franca fiton 4-0 dhe hedh një hap përpara drejt kualifikimit, ndërsa Holanda shpreson ende, të paktën matematikisht, pas fitores 3-2 që Bullgaria arriti në ndeshjen tjetër të grupit A ndaj Suedisë.