AlbanianSport.com 28.08.2017 18:10
ASNN – Në prag të nisjes së Kampionatit Botëror të Xhudos, që mbahet në Budapest, Federata Botërore ka nderuar një numër figurash të këtij sporti, ndër të cilët edhe Majlinda Kelmendin. Sportistja e Kosovës është nderuar me çmimin prestigjioz “Xhudistja e Sotme më e Mirë”, më i madhi në karrierë e saj, në mbrëmjen festive të mbajtur të dielën në kryeqytetin hungarez.
Majlinda Kelmendi ka fituar çmimin prestigjioz “Xhudistja e sotme më e mirë” (Best Female Judoka Today) nga Federata Ndërkombëtare e Xhudos. Kampionia olimpike është nderuar me çmimin më të madh në karrierë të dielën në mbrëmje në Budapest të Hungarisë, para nisjes së Kampionatit Botëror të Xhudos. Ky Botëror nis më 28 gusht dhe zgjat deri më 3 shtator 2017.
Në fjalën e saj, Kelmendi ka falënderuar kryetarin e Federatës Ndërkombëtare të Xhudos, Marius Vizer, për të cilin ka thënë se është mbështetja e tij që i ka mundësuar suksese xhudos kosovare. “Faleminderit që e keni mbështetur Kosovën, – ka thënë Kelmendi duke iu drejtuar kreut të xhudos botërore. – Ju jeni arsyeja që Kosova është pranuar në Komitetin Olimpik.”
“Falë jush më është mundësuar të përfaqësoj Kosovën në Rio, – ka vijuar ai. – Falë jush Kosova e ka medaljen olimpike. Faleminderit nga zemra!” Më tej ajo ka falënderuar trajnerin Driton Kuka si dhe ka thënë se ky çmim është më i madhi në karrierën e saj. “Kam fituar gjithçka. Por ky çmim sot është ‘Everesti’. Nuk mund të kërkoj për më shumë”, – ka theksuar ajo. Trajneri i Kosovës në xhudo, Driton Kuka, ka thënë se çmimi që mori sot Majlinda Kelmendi është i rëndësishëm ashtu sikundër është “Topi i Artë” në futboll.