AlbanianSport.com 26.08.2017 18:20
ASNN – Ishte protagonist dhe dëshmitar i gjallë i asaj që ndodhi para 3 vjetësh në atë mbrëmje vjeshte në kryeqytetin serb dhe prandaj nuk mund të heshtë. Xhovani De Biazi e ka cilësuar si problematik shortin e fazës së grupeve të Ligës së Evropës, që e vendosi Skënderbeun në të njëjtin grup me Partizanin e Beogradit.
Italiani e provoi në kurriz huliganizmin e serbëve, teksa me Kombëtaren më 14 tetor të vitit 2014, kuqezinjtë u dhunuan barbarisht dhe më pas përfaqësuesja e Serbisë e humbi duelin në KAS me Shqipërinë. De Biazi thotë se UEFA mund ta kishte evituar këtë pjesë, duke marrë shkas edhe nga ajo që ndodhi dy vite më parë mes dy ekipeve përfaqësuese.
“Jam i shtangur që do të luajnë bashkë dhe mendoja se UEFA do ta kishte evituar një përballje si kjo”, – ka deklaruar De Biazi për mediat sportive shqiptare të ditës. Sidoqoftp, ish-trajneri i Shqipërisë e ka vlerësuar me nota pozitive grupin dhe i ka dhënë shanse Skënderbeut që të mund të bëjë surprizën.
“Nuk është i keq si grup, – ka thënë ish-trajneri i Kombëtares, duke vijuar: “Mendoj se Skënderbeu do të përballet me kokën lart dhe mund të bëjë mirë gjatë fazës së grupeve.”