AlbanianSport.com 25.08.2017 17:45
ASNN – Po rezulton një zhgënjim pjesëmarrja e kampiones së Shqipërisë në futbollin e sallës, Flamurtarit, në Kupën UEFA, pasi skuadra vlonjate është mundur në ndeshjet e para, duke humbur kështu çdo shpresë për ndonjë kualifikim të mundshëm.
Për më tepër, skuadra vlonjate, e drejtuar nga trajneri Mario Kalus, ka pësuar plot 16 gola në këto dy ndeshje, me një mesatare prej 8 golash të pësuar për ndeshje, ndërsa ka gjetur vetëm 5 herë rrugën e rrjetës kundërshtare.
Në takimin e parë të grupit E të paraeliminatoreve, që po i luan ndeshjet në Bosnjë-Hercegovinë, Flamurtari është mundur të mërkurën me shifrat 3-4 përballë estonezëve të Narva Junajtid.
Në këtë takim, kanë qenë baltikët ata që kryesuar me shifrat 3-0 dhe, ndonëse Flamurtari ka reaguar, duke pësuar vetëm një gol tjetër dhe duke shënuar 3 herë, kjo nuk ka mjaftuar për të shmangur humbjen.
Ndërkohë, ka qenë për t’u harruar sfida e së enjtes përballë turqve të Arnavutkojit, pasi skuadra vlonjate ka kapitulluar me shifrat e thella 2-12. Ndonëse është Flamurtari që ka shënuar dy herë brenda 3 minutave të para, duke krijuar përshtypjen e një fitoreje në projektim e sipër, janë turqit që shpërthejnë më pas.
Ata kanë shënuar 5 herë në pjesën e parë dhe 7 herë në të dytën dhe duke marrë një fitore që i kthen në rrugë të mbarë për kualifikimin, pasi e kishin humbur ndeshjen e parë, 4-7, përballë vendasve të Mostarit.
Pikërisht me këta të fundit do ta mbyllë Flamurtari pjesëmarrjen e tij në Kupën UEFA në futbollin e sallës, ndërsa takimi luhet të shtunën në mbrëmje.