AlbanianSport.com 21.08.2017 18:55
ASNN – Humbja duket se është bërë lajtmotivi i basketbollit shqiptar të këtyre 3 javëve të para të gushtit dhe, pasi Shqipëria e ka mbyllur me turp grupin B të paraeliminatoreve të Botërorit 2019, pasi në takimin me Holandën, që u zhvillua të shtunën në mbrëmje në Tiranë, ka kapitulluar me shifrat e thella 37-113, situata nuk është aspak më e mirë tek moshat. Edhe Kombëtarja kuqezi e vajzave për grupmoshën nën 16 vjeç ka pësuar të hënën humbjen e saj të 4-t në grupin D të Divizionit B të Evropianit, që po i zhvillon ndeshjet në Shkup, duke u mundur me shifrat 43-97 përballë Danimarkës. Në fakt, gjithçka është bërë e qartë që në pjesën e parë për skuadrën e drejtuar nga trajnerja Valbona Sako, kur danezet e kanë fituar atë thellë, 31-13, duke vijuar ta fitojnë edhe 10-minutëshin e dytë, 16-11, dhe duke shkuar në pushimin e madh në kryesim të rezultatit me shifrat 47-24. Dy pjesët e tjera nuk kanë qenë më të mira për vajzat kuqezi, pasi danezet i fitojnë edhe ato përkatësisht 26-14 dhe 24-5 dhe gjithë ndeshjen me rezultatin e thellë 43-97. Më herët, Shqipëria i ka humbur edhe 3 ndeshjet e tjera të këtij grupi, duke u mundur 41-102 përballë Zvicrës, 35-68 përballë Britanisë së Madhe dhe 45-88 përballë Bosnjë-Hercegovinës. Skuadra e Sakos e mbyll të martën grupin D, me ndeshjen e fundit, atë ndaj Sllovakisë, që luhet duke nisur nga ora 12:00.