ASNN – Në barazim 1-1 ka përfunduar miqësorja e luajtur pasditen e së shtunës në Stadiumin “Besëlidhja” të qytetit të Lezhës, midis skuadrës vendase dhe Vllaznisë së Shkodrës. Një ndeshje që, në fakt, edhe pse përgjithësisht u dominua nga skuadra kuqeblu, nuk u ngjit për asnjë moment në nivelin e kërkuar.
Pas një pjese të parë pa emocione, apatike dhe pa ritmin e duhur, e cila u mbyllë me rrjeta të paprekura, në 45-minutëshin e dytë, kuqeblutë u shfaqen disi më të lëvizshëm, duke u paraqitur edhe më të rrezikshëm në portën kundërshtare. Arsid Kruja, kalon në epërsi Vllazninë dy minuta nga fillimi i kësaj pjese.
Ndërkohë që, 15 minuta nga fundi, vendasit arrijnë të barazojnë me anë të Ujkës dhe me këtë barazim do të mbyllej e gjithë ndeshja. Miqësoren me Besëlidhjen, kuqeblutë e kanë shfrytëzuar edhe për testimin e portierit maqedonas, Kristian Naumovski, i cili u aktivizua në pjesën e dytë.
Në lidhje me qëndrimin apo jo të tij tek Vllaznia, stafi teknik dhe drejtuesit e klubit shkodran pritet të shprehen në vazhdim, gjë që saktësisht vendimi në fjalë do të mësohet të hënën, kur skuadra do të lërë qytetin e Shkodrës për të vijuar fazen përgatitore në qytetin malazez, Berane.