Gjergj Vyshka 20.08.2017 09:00
Basketbolli shqiptar e ka mbyllur me një turp të madh pjesëmarrjen në turin paraeliminator të Kampionatit Botëror “Kinë 2019”, ndërsa është mundur në fushën e vet me një diferencë prej 74 pikësh diferencë nga Holanda. Kaq ka mjaftuar që Kostantinides në fundin e ndeshjes, jo vetëm të mos takohet me lojtarët, por dhe të japë dorëheqjen e parevokueshme nga kombëtarja kuqezi.
Sepse nuk mund ta mbajë turpin e mbrëmshëm, që në një farë mënyre duket se përgjegjësitë më të mëdha nisin nga ai. Gjithsesi në fundin e ndeshjes për mediet ka treguar se ky ishte finishi i pjesës së karrierës me kombëtaren shqiptare. “Kjo ishte ndeshja ime e fundit, – ka thënë Kostantinides, – nëse problemi jam unë për ecjen përpara të kombëtares shqiptare po iki.”
“Ata që mendojnë se mund të sjellin ndryshimin le të vijnë që nesër, – ka vijuar ai. – Por ama duhet t’i kërkoj një falje të madhe publikut, si dhe Austrisë, për mungesën e “Fair-Play”-it. Sepse nuk mund të shtrëngoheshim aq shumë me Austrinë dhe më pas të bënim këtë shfaqje ndaj Holandës që vetëm basketboll nuk ishte. Dhe këtu nuk mund të diskutohet më për këtë ndeshje. Kështu që po largohem”.