Gjergj Vyshka 19.08.2017 14:25
Kampionati Evropian i Basketbollit për grupmoshën deri në 16 vjeç për djem, Divizioni A i të cilit është duke u zhvilluar në Podgoricë, po vjen drejt përfundimit. E ndërkaq Gentian Cici, ndërkombëtari i basketbollit shqiptar, dje ka gjykuar ndeshjen e tij të 6-të në këtë veprimtari, teksa qenë gjyqtar i parë në gjysmëfinalen Francë-Kroaci 83-60 (13-15, 25-9, 23-17, 22-19).
Në këtë ndeshje Cici ka pasur për ndihmës bjellorusin Andrei Sharapa dhe turkun Jenez Jëllmaz. Në 6 ndeshje në këtë Evropian, Cici ka gjykuar dy herë Letoninë, Francën dhe Kroacinë, si dhe nga një herë Turqinë, Gjermaninë, Malin e Zi, Serbinë, Estoninë, Rusinë. Kësisoj Cici ka mbërritur në kuotën e 14 ndeshjeve në periudhën e verës.
Sepse janë 7 ndeshje në Kampionatin Evropian të Nën-20-vjeçareve për femra, Divizioni A, 6 ndeshje në Kampionatin Evropian Nën-16-vjeçarëve për djem, Divizioni A, si dhe një në Eliminatoret e Kampionatit Botëror “Kinë 2019” për Të Rritur, Bosnjë-Hercegovinë-Armeni 98-85. Dhe të gjitha këto ndeshje janë si një përgatitje për më të madhe për të.
Kjo sepse, nga data 31 gusht 2017, deri më 17 shtator 2017, Gentian Cici do të gjykojë në fazën finale të Kampionatit Evropian për Të Rritur.