Gjergj Vyshka 19.08.2017 11:10
Erion Hoxhaj, ndërkombëtari vlonjat i basketbollit shqiptar, është rikthyer në parket. Pasi ka gjykuar 7 ndeshje në Kampionatin Evropian të Nën-20-vjeçarëve, djem, Divizioni B, dhe 8 ndeshje në Kampionatin Evropian të Nën-18-vjeçarëve djem, po Divizioni B, tashmë është në Kampionatin Evropian të Nën-16-vjeçareve për vajza në Shkup.
Gjithnjë bëhet fjalë për Divizionin B, por deri më tani, duke llogaritur dy ndeshjet e para në Evropianin e Nën-16-vjeçareve për vajza, Hoxhaj shkon vetëm për periudhën e verës në 17 ndeshje ndërkombëtare. Të enjten ai ka qenë gjyqtar i tretë në ndeshjen Islandë-Luksemburg 49-56 (12-10, 8-13, 11-20, 18-13). E në këtë takim gjyqtar i parë ishte maqedonasi Alija Ferevski, kurse i dytë boshnjaku Milan Adamoviç.
Ndërkohë dje ka qenë po gjyqtar i tretë në ndeshjen Irlandë-Moldavi 89-15 (23-6, 24-1, 22-2, 20-6). Në këtë takim gjyqtar i parë ishte azeri Ruslan Kaligon, kurse i dytë finlandezi Henri Hilke. Por, në përgjithësi, me 17 ndeshje në një periudhë të shkurtër prej dy muajsh tregon se Hoxhaj mbetet në qendër të vëmendjes së ndërkombëtarëve.