Gjergj Vyshka 19.08.2017 10:05
Partizani, Tirana dhe “Masglass”, kjo e fundit me dy skuadra te meshkujt, janë më të mirët e trofeve të moshave në prag të Evropianit. Pallati i Sportit “Ramazan Njala” në Durrës, edhe pse kulmi i pushimeve verore, por dhe të nxehtit, është bërë arena e peshëngritjes për moshat.
Pikërisht Lumturi Sylaj, peshëngritësja e parë shqiptare, e cila arriti të ngrinte flamurin në arenën ndërkombëtare, është bërë promotore e një veprimtarie për talentet e reja. Për më tepër për moshën 15 dhe 17 vjeç, të cilët janë dhe në prag të veprimtarive ndërkombëtare.
Duke mbetur tek Sylaj, memoriali i të cilit mbante emrin e saj, më 1993-in në Greqi ka marrë dy medalje bronzi në trofeun “Tofallos”. Dhe për këtë qëllim Federata Shqiptare e Peshëngritjes, nëpërmjet Presidentit të Nderit, Gudar Beqiraj, dhe Sekretarit të saj të Përgjithshëm Agron Haxhihyseni, e ka nderuar ish-peshëngritësen me titullin “Mirënjohje”.
E kjo me motivacionin “për kontributin e saj plot vlera në pjesëmarrjen cilësore të femrës shqiptare në peshëngritje”. Në fakt kjo është në kuadrin e përkujtimit të figurave të peshëngritjes shqiptare, sepse drejtuesit e shtangës në vend e kanë bërë dhe më parë për ata që kontribuuan në ndërtimin e këtij sporti dhe forcimin e rezultatet e tij.