AlbanianSport.com 19.08.2017 09:00
ASNN – Shqipëria do ta mbyllë sonte pjesëmarrjen e saj në fazën paraeliminatore të “Botërorit 2019” në basketboll për meshkuj, kur të përballet në Tiranë me përfaqësuesen e Holandës.
Takimi, që do të luhet në Sallën Sportive të Lojërave me Dorë “Feti Borova” në Parkun Olimpik të kryeqytetit, do të sillet për sportdashësit drejtpërdrejt dhe ekskluzivisht nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, duke nisur nga ora 20:30.
Përkundër pritshmërive, teksa ishte shpresuar të shkohej të paktën më larg se ajo fitore e vetme, e arritur vjet në Tiranë ndaj Sllovakisë, Kombëtarja shqiptare e koshit të meshkujve i ka humbur 3 ndeshjet e deritanishme.
Kuqezinjtë janë mundur 51-79 me Austrinë më 2 gusht në Tiranë dhe, ndonëse kanë bërë një paraqitje mjaft të mirë në humbjen 77-91 me Holandën në Amsterdam një javë më pas, kanë vijuar të zhgënjejnë sërish në ndeshjen e kthimit me Austrinë.
Në takimin e zhvilluar më 12 gusht 2017, Kombëtarja shqiptare, e drejtuar nga trajneri qipriot, Antonis Konstantinides, është mundur 63-97, duke u eliminuar edhe matematikisht nga kjo fazë paraeliminatore.
Përtej kësaj, kuqezinjtë do të synojnë ta mbyllin me një rezultat pozitiv sonte në Tiranë, ndonëse përballë do të jetë padyshim ajo që ishte skuadra më e forte e grupit.