Gjergj Vyshka 19.08.2017 07:55
Shqipëria e Nën-16-vjeçareve në basketboll për vajza ka nënshkruar humbjen e dytë në Divizionin B të Kampionatin Evropian. Këtë herë është mundur nga Britania e Madhe, e cila duket se e ka pasur dorën më të lehtë se sa zviceranet. Sepse i ka mundur vajzat kuqezi me 33 pikë, 68-35, që do të thotë se krahasuar me ndeshjen është gjysmë për gjysmë në llogaritë e pikëve.
Por që përsëri është humbje. Madje ndeshja me Britaninë e Madhe mund të quhet fotokopje e takimit të parë me Zvicrën. E kanë nisur mirë në pjesën e parë vajzat kuqezi, ndërsa janë mundur 10-17. Më pas skuadra duket sikur është me një ‘marrje mendësh” totale, ndërsa britaniket duket sikur luajnë me vetveten. Fitojnë pjesën e dytë 20-8 dhe në pushim kanë kryesuar 37-18.
Vazjat kuqezi mundohen sa më shumë në pjesën e tretë që të ngushtojnë diferencën e pikëve. Por përsëri ka fituar Britania e Madhe, 21-15 dhe rezultati total ka shkuar 58-33. 10-2 e fundit me një nivel të ulët nga të dyja skuadrat, ndërsa ka dhe pasaktësi të madhe në gjuajtje. Dhe në përfundim, tabela elektronike në Shkup ka shënuar 68-35 për Britaninë e Madhe.
Shqipëria e Nën-16-vjeçareve për vajza ka vuajtur dhe një herë presingun e kundërshtarit, si dhe ka pasur probleme në mbrojtje e në sulm. Sonte në mbrëmje në ora 18:45 do të luajë ndeshjen e tretë në grupin D, atë ndaj Bosnje-Hercegovinës, por gjërat duken të vështira dhe për këtë përfaqësuese.
Shqipëri – Britani e Madhe 35-68
(10-17, 8-20, 15-21, 2-10)
Shqipëria: Sinani (6), Rreshpja (14), Verri (7), Meço (4), Kraja (2) / Lugaj (2), Çobo. Trajnere: V. Sako
Britania e Madhe: Hinds (6), Benet (2), Kristi (11), Litëll (19), Guidolin Dankan (5) / Ashton (2), Haruud-Belis (5), Sa (6), Li, Sarkodi-Ado (6), Stori (4), Bejkër (2). Trajner: M. Xhon Harber
Gjyqtarë: Z. Mitrovski (Maqedoni), J. Ihnatsieu (Bjellorusi), N. Monteiro (Portugali)