Gjergj Vyshka 18.08.2017 16:10
Ermal Kuqo ka pasur një karrierë të gjatë si basketbollist në nivele të larta të basketbollit evropian, por asnjëherë nuk mundi që të bëhej pjesë e NBA-së si lojtar. Tashmë, pasi është tërhequr nga të qenit aktiv në fushë, do të ketë mundësinë për të qenë pjesë e kampionatit më të bukur në botë, por në rolin e drejtuesit.
Ai ka marrë një rol të rëndësishëm në skuadrën amerikane të Los Anxhelos Klipers. Ermal Kuqo do të mbajë pozicionin e Drejtorit Ndërkombëtar të Zbuluesve të Talenteve në skuadrën e njohur amerikane. I lindur në Korçë, Ermal Kuqo, karrierën e tij si basketbollist profesionist e nisi me Tiranën në vitin 1993.
Në vitin 1995, ai kaloi të Fenerbahçe në Turqi, ku qëndroi për 4 sezone. Në 2001-shin kaloi tek KK Split, ndërsa një vit më vonë, tek Pivovarna Lashko. Kulmin e karrierës do ta arrinte në 2003-shin, kur transferohet tek Efes Pilsen, skuadër tek e cila luan deri në vitin 2008.
Më pas është larguar një vit tek Pamesa Valencia dhe u rikthye sërish tek Pilsen. Sa u takon kombëtarëve, në vitin 2004 u bë pjesë e Turqisë, duke mbajtur mbiemrin e modifikuar Kurtollu, ndërsa në vitin 2010 iu dha drita jeshile për të luajtur me kombëtaren shqiptare.