AlbanianSport.com 18.08.2017 14:20
ASNN – “Red Bull”-i po bën hapa të mëdha për të ngushtuar diferencat me “Ferrari”-n dhe “Mercedes”-in. Ky është premtimi i shefit të skuadrës, Kristian Horner, i cili thekson se muaji i pushimit do ta ndihmojë skuadrën austriake të punojë shumë me detajet që do të bëjnë diferencën në pjesën e dytë të sezonit.
Si rival kryesor të këtij sezoni, “Red Bull”-i konsideronte “Mercedes”-in, por rezultatet deri në këtë pikë janë zhgënjyese për skuadrën me qendër në Milton Kejnes. “6 podiume dhe një fitore, – ka pohuar drejtuesi i skuadrës austriake. – Janë të dhëna që na tregojmë se ndodhemi ende shumë larg pritshmërive tona.”
“Nëse shikojmë 4 garat, midis Montrealut dhe Silverstounit, nuk kishim 100 % besueshmëri, – ka vijuar Horner. – Sidoqoftë, në garat e fundit kemi bërë paraqitje pozitive.” Edhe pse beson në rikthimin e “Red Bull”-it, Horneri me diplomaci e pranon se tashmë ky sezon duket një çështje e mbyllur përsa i përket çështjes së titullit.
“Mendoj se në aspektin e pikëve diferenca mes nesh dhe “Ferrari”-t e “Mercedes”-it është shumë e madhe, por unë besoj se mund ta kalojmë skuadrën italiane gjatë pjesës së dytë të sezonit, – ka këmbënguluar ai. – Ky është një objektiv realist dhe mendoj se është gjithashtu i mundur për skuadrën tonë.”
Në renditjen e përgjithshëm së skuadrave, “Mercedes”-i kryeson me 357 pikë, i ndjekur nga “Ferrari”, me 318, dhe “Red Bull”-i, me 184.