Gjergj Vyshka 18.08.2017 13:25
Federata Shqiptare e Volejbollit ka lajmëruar se më 28 gusht 2017, në ora 11:00, në mjediset e organizmit që qeveris rrjetën shqiptare, do të bëhet hedhja e shortit të Kampionatit Kombëtar për sezonin 2017-2018.
Bëhet fjalë për nivelin e vetë, apo Grupin A1 të meshkujve, si dhe për të dy nivelet e femrave, grupin A1 dhe A2. Dhe Federata Shqiptare e Volejbollit ka ftuar të gjithë përfaqësuesit e klubeve dhe të shoqatave sportive, por dhe mediat sportive, që të jetë të pranishme për pasqyrimin e këtij shorti.
Ajo që duhet bërë e ditur është fakti se vjet Gramshi për meshkuj dhe Studenti për femra, edhe pse qenë të pranishme dhe shorti u bë me to, u tërhoqën në momentet e fundit nga gara për arsye financiare.
Ndërkohë gjithashtu ajo që do t’i paraprijë Kampionatit Kombëtar të Të Rriturve do të jetë Kupa e Federatës Shqiptare të Volejbollit. E, më pas, mbetet Kupa e Shqipërisë. Kësisoj volejbolli shqiptar është në prag të aktiviteteve të sezonit 2017-2018.